Betonohet oborri i Komunës së Prishtinës
Protestuesit kanë hedhur një sasi të madhe betoni në oborrin e Komunës së Prishtinës.
Injorimi i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të Shoqatës së Ndërtimtarëve, ka bërë që ata të protestojnë.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Brahim Selimaj, ka deklaruar se qëllimi i kësaj proteste është që Komuna, përkatësisht krerët e saj përfundimisht të heqin dorë nga kërkesat e tyre të jashtëligjshme dhe burokratike, të cilat ua pamundësojnë zhvillimin normal të biznese në këtë sektor.
Ata kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliut, si dhe të shefit të sektorit të ndërtimeve, Ergyn Hajredinaj.
Sipas organizatorëve të protestave, këta dy zyrtarë konsiderohen si fajtorët kryesorë, që kanë penguar zhvillimin e bizneseve.
Shoqata e Ndërtimtarëve dhe e Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore kërkon respektimin e ligjit të ndërtimit, i cili është në fuqi, si dhe të respektohen të drejtat e këtyre bizneseve dhe të mos zvarriten me muaj e vite dhëniet e lejeve.