Betejë e re për borxhin në SHBA
Washington, 7 janar - Ligjvënësit amerikanë po paraqesin qëndrimet e tyre në prag të një tjetër beteje politike mbi problemet buxhetore të vendit.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, paralajmëroi sot se partia e tij nuk do të konsiderojë rritje të mëtejshme të taksave, duke u shprehur në një emision të rrjetit televiziv ABC se \"çështja e taksave ka përfunduar.\"
Ai tha se Presidenti Obama dhe ligjvënësit tani duhet të përqëndrohen tek shkurtimi i shpenzimeve qeveritare, duke e quajtur \"varësinë ndaj shpenzimeve të Uashingtonit problemin më të madh të vendit.
Por udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve tha se ligjvënësit duhet të rrisin më tepër të ardhurat.
Kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Ulët të Kongresit, Nancy Pelosi, tha për rrjetin televiziv CBS se diskutimet rreth taksave nuk mund të përjashtohen. Ajo shtoi se ligjvënësit duhet ti japin fund lehtësimeve fiskale për grupet e interesit dhe industritë që nuk kanë nevojë për to.