BERZH: Shqipëria, e rrezikuar nga kriza greke
Tiranë, 26 korrik - Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi dje se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë zhgënjyese jo vetëm për vitin 2011, por edhe për vitin 2012, kryesisht si pasojë e ndikimit që ka kriza greke në vendin tonë.
Në një raport të përditësuar mbi ecurinë ekonomike në vendet e rajonit tonë, BERZH thotë se Shqipëria vijon rritjen pozitive falë rritjes së eksporteve dhe industrisë, por ky vend mund të preket rëndë nga rënia ekonomike e Greqisë.
BERZH parashikon që për vitin 2012, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në Europën Lindore do të jetë mesatarisht 4.4 për qind, gjë që do të thotë se rritja e Shqipërisë mund të jetë absolutisht më e ulët se sa pjesa tjetër e rajonit.
Kriza greke mund të ngadalësojë rritjen ekonomike veçanërisht në Europën Juglindore, thotë BERZH. Kanalet kryesore të dëmtimit të ekonomisë së fqinjëve të Greqisë janë prania e bankave greke në rajon dhe rritja e papunësisë mes emigrantëve që jetojnë në Greqi.
Ekonomia e vetme me rritje në rajonin tonë është aktualisht Turqia, ndërsa Kroacia, Sllovenia e vendet e tjera janë ende duke u përpjekur të dalin nga vështirësitë e krijuara prej krizës botërore.
BERZH, e cila është pjesë e grupit të Bankës Botërore dhe ndihmon vendet në zhvillim me kredi tregtare, në maj të këtij viti parashikonte se rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2011 do të ishte 3.3 për qind. Por parashikimi i publikuar dje e ka ulur rritjen e pritshme për vitin e ardhshëm në vetëm 1.9 për qind.
Qeveria shqiptare ka parashikuar rritje ekonomike prej 5 për qind për këtë vit dhe 5.1 për qind për vitin 2011, një parashikim ky që i lejon të programojë rritje shpenzimesh, të cilat rezultojnë në mes të vitit të pambuluara me të ardhura. Rritja ekonomike prej 1.9 për qind për vitin e ardhshëm, nëse parashikimi i BERZH-it del i saktë, do të jetë më e ulëta e shënuar në Shqipëri që nga viti 1997.
Ndryshe nga BERZH, Fondi Monetar Ndërkombëtar në parashikimin e fundit të kryer në prill të këtij viti, vlerëson se ekonomia jonë do të rritet me 3.6 për qind më 2012-n, një rritje kjo e konsiderueshme, pavarësisht se është sa gjysma e rritjes së regjistruar në dekadën e fundit.