BERZH rikonfirmon mbështetjen për Kosovën
Prishtinë, 8 shkurt - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj është takuar sot me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend me theks të veçantë, projektet që janë në zhvillim, investimet e huaja dhe përfshirjen e këtij institucioni në këto procese.
Gjatë takimit, ministri Beqaj ka njoftuar kreun e BERZH-it lidhur me përgatitjet që janë duke u bërë për mbajtjen e Konferencës për Energjinë e Ripërtritshme dhe Efiçiencën e Energjisë me çrast është konfirmuar qe ky institucion do të jetë pjesë e saj me qëllim të mbështetjes së projekteve që vijnë nga sektori privat dhe ai publik, si nivelin qendror ashtu edhe atë lokal.
Ai ka vënë në dukje se BERZH mund të angazhohet në projekte të ndryshme si në fushën e telekomunikacionit dhe infrastrukturës, të cilat ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve siç janë ujësjellësit, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave të ngurta.
Në këtë takim, Ministri Beqaj dhe presidenti i BERZH-it kanë diskutuar edhe për hartimin e strategjisë tri vjeçare të BERZH-it për Kosovën si dhe rreth fushave ku BERZH-i synon ti shtrijë aktivitetin e vet në Kosovë. Është theksuar se projektet të cilat janë fizibile do të kenë mundësinë e financimit nga ana BERZH gjatë këtij viti.
Nga ana e tij, presidenti Suma Chakrabarti ka vënë në dukje se pas anëtarësimit të Kosovës në BERZH janë krijuar mundësi të reja të bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy institucioneve respektive.
Ai ka ritheksuar gatishmërinë e BERZH-it për të mbështetur Kosovën, e sidomos projekte të cilat vlerësohen se lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.