BERZH përkrahë Kosovën në projekte zhvillimore
Prishtinë, 6 tetor - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e BERZH-it Pierre Heilbronn, ku diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Me këtë rast, Ministri Hamza duke i uruar mirëseardhje në Kosovë zëvendëspresidentit të BERZH-it Pierre Heilbronn, u shpreh se “Ne jemi anëtarësuar në BERZH gjatë mandatit tim të parë, falë përpjekjes së koordinuar me të gjithë miqtë, që të jemi përfitues dhe kontribuues në misionin që ka BERZH-i për të zhvilluar vendet e ekonomive në tranzicion sipas orientimeve perëndimore”.
Ministri gjithashtu e falënderoi atë për mbështetjen që BERZH-i ka ofruar deri më tani Qeverisë së Kosovës në realizimin e projekteve më rëndësi të veçantë siç është projekti për Linjën 10 Hekurudhore dhe ai për Trafikun Urban.
Ai gjithashtu e njoftoi z. Heilbronn për gjendjen Makro-fiskale dhe theksoi se ne kemi ndërtuar një bazë të shëndoshë të bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila bazohet në Strategjinë e Bankës për Kosovë dhe në Memorandumin e bashkëpunimit.
Ministri Hamza gjatë takimit tha se storie shumë të mira të suksesit kanë qenë dy linjat kreditore për FSDK-në, ku unë jam i përkushtuar që të kemi progres të ngjashëm edhe në marrëveshjet që kemi për projektet tjera në sektorin publik, zhvillimin e sektorit privat, financim për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe kategoritë që kanë më së paku qasje në financim, respektivisht të rinjtë dhe gratë.
Ai gjithashtu tha se me Fondin për Garantimin e Kredive synojmë që të kemi financim të shtuar në formë të linjës kreditore apo ekutietit varësisht se për cilën formë të mbështetjes dakordohemi e që jep kontribut më të madh dhe prodhon efekt në ekonomi dhe në zhvillim të Fondit.