BERZH: Në 2015 Shqipëria rritet me 2,5%
Tiranë, 17 shtator - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon një rritje ekonomike prej 2.5% në 2015-n në Shqipëri, nga niveli 17% që mendohet të arrijë në fund të vitit 2014.
Në raportin e publikuar sot nga BERZH, mbi parashikimet e saj për rritjen ekonomike në vendet e Evropës Juglindore, njoftohet se Perspektiva për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi është përmirësuar, për shkak të progresit në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në Shqipëri dhe projektet e mëdha të infrastrukturës në Maqedoni e Mal të Zi.
Ndërsa thekson se, parashikimi për Shqipërinë mbetet 1.7% për vitin 2014 (aq sa ishte dhe në raportin e majit), për tu përshpejtuar në 2.5% në 2015-n. Rishikimi më i thelluar evidenton rënie të tregueseve ekonomike për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën. Të dyja këto shtete kanë vuajtur nga dëme të shumta nga përmbytjet e muajit maji. Sektorët jetësorë të ekonomisë si, energjia dhe bujqësia, janë ndikuar keqazi nga këto fenomene, vëren raporti.
Sipas BERZH, rritja ekonomike në Bosnjë është parashikuar në vetëm 0.2%, krahasuar me parashikimin majit prej 1.8%. Serbia ka të ngjarë të bjerë në recesion, me ekonominë që pritet të tkurret 01.5%, krahasuar me pritshmëritë fillestare për një rritje prej 1%.
Në raportin e publikuar nga BERZH është ulur parashikimi për Bullgarinë në 1.5%, nga 1.9%, kryesisht për shkak të problemeve në sektorin financiar.
Në kontrast me perspektivën e përgjithshme për rajonin për këtë vit, BERZH ka rishikuar në rritje pritshmëritë për Evropën Juglindore, në 2.6% nga 2.4% që parashikonte në maj.