BERZH miraton strategjinë e re për Shqipërinë
Bruksel, 20 janar - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar një strategji të re për Shqipërinë, e cila nxjerr në pah përparësitë e investimeve të BERZH-it për katër vitet e ardhshme.
Strategjia 2016-2019 synon të përmirësojë konkurrencën e sektorit privat, të zgjerojë dhe të forcojë lidhjet rajonale, si dhe të promovojë qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të shërbimeve publike.
BERZH-i do të mbështesë korporatat dhe Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme nëpërmjet huave direkte, financimeve në kapitalin aksionar dhe shërbimeve këshillimore. BERZH-i do të punojë gjithashtu me bankat tregtare dhe intitucionet e mikrofinancës për të përmirësuar mundësitë për financime të kompanive në Shqipëri. Së fundmi, BERZH-i do të intensifikojë mbështetjen ndaj përpjekjeve të qeverisë për përmirësimin e klimës së investimeve.
BERZH-i do të punojë përkrah Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë multilateralë me qëllim promovimin e integrimit rajonal dhe përmirësimin e transportit ndërkufitar dhe infrastrukturës energjitike. Kjo do të përmirësojë lidhjet, do të mbështesë tregtinë ndërkufitare dhe investimet, si dhe do të rrisë sigurinë energjetike.
Promovim i qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve të shërbimeve publike përmes komercializimit dhe pjesëmarrjes së sektorit privat
BERZH-i do të mbështesë ristrukturimin e thellë të sektorit energjetik dhe do të financojë infrastrukturën mjedisore dhe bashkiake.
Në të gjithë këto aktivitete, BERZH-i do të synojë të përputhë operacionet e saj me prioritetet e qeverisë shqiptare dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe donarët bilateralë.
Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka investuar 1 miliard euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.