BERZH mban sot takim me kryeministrat e Ballkanit
Londër, 24 shkurt - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të organizojë sot në Londër, një konferencë për investimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Burime nga BERZH, bëjnë të ditur se në konferencë pritet të jenë të pranishëm Kryeministri i Shiqpërisë, Edi Rama dhe homologët e tij nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia.
Takimi do të drejtohet nga Presidenti i BERZH-it, Suma Shakrabarti dhe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Shtefan Fyle.
Panelet e diskutimit do të jenë për klimën e investimeve në këto vende, zhvillimin e burimeve të reja energjetike dhe infrastruktura e rajonit. Panele diskutimi do të ketë edhe për tematikat e integrimit tregtar të rajonit dhe zhvillimit të sektorit privat në fushën e transporteve.
Sipas BERZH, qëllimi i këtij forumi do të jetë evidentimi i investimeve potenciale dhe mundësitë që ofrohen për biznesin dhe promovimi i sektorëve strategjikë në rajon.
Gjatë vitit 2013 BERZH-i ka investuar në 80 projekte të ndryshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një vlerë totale prej 1,2 miliardë euro.