BERZH i jep kredi prej 5 milionë euro Bankës për Biznes në Kosovë
Prishtinë, 9 dhjetor - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po i jep kredi prej 5 milionë euro Bankës për Biznes në Kosovë për ta përkrahur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) brenda vendit.
Ky transaksion do të jetë linja e dytë për Bankën për Biznes nën të njëjtin program, duke kapitalizuar mbi ekspertizën dhe njohuritë e ndërtuara pas shfrytëzimit të plotë të linjës së mëparshme të nënshkruar në 2018.
Fondet do t’i përkrahin bizneset e vogla lokale për t’i arritur standardet më të mira të industrisë dhe për t’i zbatuar direktivat e Bashkimit Evropian (BE).
Synohet që të inkurajohen NVM që të investojnë në gradime në tri fusha kryesore: mbrojtjen e mjedisit, shëndetin dhe sigurinë si dhe cilësinë e produktit. Të paktën 60 për qind e të gjitha kredive do t’i përkrahin investimet e kursimit të energjisë.
NVM-të pjesëmarrëse do të kenë gjithashtu qasje në këshilla dhe njohuri të përshtatura për prezantimin dhe zbatimin e standardeve dhe direktivave për t'i bërë ato më konkurruese në tregjet e BE-së.
Ato do të përfitojnë edhe nga grante me vlerë deri në 15 për qind të shumës totale të huasë me përfundimin e suksesshëm të projektit.
Asistenca teknike dhe grantet e dedikuara financohen nga Bashkimi Evropian në kuadër të Mjetit për Zhvillim dhe Inovacion të Sipërmarrjes në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF).
Këto fonde janë pjesë e një iniciative më të gjerë nga BERZH dhe BE që inkurajojnë NVM-të në Ballkanin Perëndimor të investojnë në projekte që përmirësojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet lokale e të jashtme.
Matteo Colangeli, Drejtor Rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, tha: “Jemi shumë të kënaqur që do ta shtojmë bashkëpunimin tonë me Bankën për Biznes dhe do t’i përkrahim më tej NVM-të vendore. Financimi i ri do ta lehtësojë qasjen në financa të strukturuar mirë për bizneset e vogla, duke i ndihmuar ata të bëhen më konkurrues dhe të rikuperohen nga efektet negative pas pandemisë”.
“Përmes këtij mjeti dhe punës sonë të përbashkët, ne do t’u mundësojmë ndërmarrjeve kosovare qasje më të lehtë në financim dhe do t’u mundësojmë NVM-ve të arrijnë standardet e BE-së dhe të zgjerohen në rajon dhe ndërkombëtarisht. BE-ja është dhe do të vazhdojë të jetë donatori, investitori dhe partneri tregtar më i madh në Kosovë”, nënvizoi Luigi Brusa, Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së.
Arton Celina, Drejtor Ekzekutiv i Bankës për Biznes tha se me këtë marrëveshje që ne po nënshkruajmë për herë të dytë me BERZH, BPB vazhdon të dëshmojë që është dora e djathtë e bizneseze të vogla dhe micro dhe mbetet e përkushtuar të ndihmojë këtë kategori me projekte të ndryshme.
"Kjo linjë kreditore ndihmon jo vetëm klientët tanë, por edhe kontribuon në performancën e përgjithshme të SME-ve në Kosovë. Kështu, ato bëhen më konkurruese në tregjet vendore e rajonale. Strategjia jonë poashtu fokusohet në implementimin e projekteve të tilla më të avancuara.”
Banka për Biznes është themeluar në vitin 2001 dhe ofron një gamë të gjerë të produkteve bankare komerciale, me fokus të veçantë tek NVM-të.
BERZH i ka investuar 545 milionë euro në Kosovë që kur filloi të operojë në vitin 2012. Prioritetet strategjike të Bankës brenda vendit janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, përkrahjes për zhvillim konkurrues të sektorit privat dhe nxitja e integrimit rajonal.