15 Nëntor 2024

BERZH-i e konsideron Kosovën partner afatgjatë

Londër, 22 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor zhvilloi një takim bilateral me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.

Gjatë takimit në Londër, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, si dhe projektet konkrete që do të përkrahen nga kjo Bankë në Kosovë.

“Ne e vlerësojmë kontributin e BERZH-it për Kosovën, me një portofolio prej 180 milionë eurosh me 45 projekte të rëndësishme në të cilat ka investuar deri më tani”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar mbështetjen e BERZH-it për funksionalizimin plotë të rrjetit të hekurudhës, siç është ajo e linjës Prishtinë- Aeroport, Prishtinë-Merdare dhe Klinë-Prizren. Kryeministri Mustafa gjithashtu kërkoi përkrahjen e BERZH-it për të mbështetur Fondin Kosovar për Sigurimin e Depozitave, Kullën e Navigimit Ajror dhe një numër të projekteve të infrastrukturës rrugore që lidhin qytetet e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu edhe përkrahje për projektin e Trafikut Urban në Prishtinë, që është vonuar për shkak të mos përmbushjes së procedurave ligjore nga Komuna e Prishtinës, si dhe shprehu besimin se edhe Kuvendi i Kosovës do të kryejë punën e tij në ratifikimin e dy marrëveshjeve të nënshkruara me BERZH-in në shumë prej 59 milionë eurosh.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi të arriturat dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës deri më tani, duke theksuar përkushtimin e mëtejshëm për zhvillim ekonomik, përmirësim të ambientit të biznesit dhe investimeve të huaja në Kosovë.

“Ne jemi në një fazë të rritjes së investimeve andaj politikat ekonomike dhe financiare të cilat do t’i dizajnojmë së bashku dhe që strategjitë të jenë të përputhshme. Tashmë kemi krijuar një set të dokumenteve zhvillimore të cilat do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Mustafa, duke folur për programin ekonomik, Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, Projektligjin për Investime Kapitale e një varg dokumentesh tjera që do të mundësojnë tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik.

Presidenti i BERZH-it,  Suma Chakrabarti, vlerësoi përkushtimin dhe reformat e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik.

Ai, po ashtu, shprehu mbështetjen e BERZH-it për projektet zhvillimore në Kosovë, duke theksuar se BERZH-i e konsideron Kosovën partner afatgjatë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)