23 Dhjetor 2024

BERZH-i, BE-ja dhe Austria nxisin investimet e gjelbra në Kosovë

Prishtinë, 7 shtator - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po jep ndihmën e saj që të nxiten investimet aq shumë të nevojshme për efiçiencë të energjisë në Kosovë përmes një kredie prej 2 milionë eurosh për Kreditimin Rural të Kosovës (KRK), një institucion mikrofinanciar i fokusuar në zonat rurale të vendit.

KRK-ja do të ndajë kredi për pronarë të shtëpive dhe ofrues të shërbimeve për të përmirësuar efiçiencën e energjisë në ndërtesat e banimit. Pronarët e shtëpive, kolektivat banesore, prodhuesit, shitësit dhe ofruesit e shërbimeve të teknologjive të gjelbra do të kenë mundësinë të investojnë në një gamë të gjerë zgjidhjesh me efiçiencë të energjisë, siç janë izolimi, dritaret, pompat e nxehtësisë dhe panelet solare.

Fondet sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe donatorët dypalësh përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për t’u ndihmuar përfituesve që të identifikojnë dhe verifikojnë pajisjet më të mira të disponueshme. Këtu përfshihen grantet deri në 20 për qind të vlerës së kredisë pas instalimit të suksesshëm. Për më tepër, Ministria Federale Austriake e Financave siguron fonde shtesë për asistencë teknike.

Financimi është pjesë e programit të Instrumentit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF) për Ballkanin Perëndimor, i cili konsiston në linja kreditimi me vlerë të përgjithshme prej 135 milionë eurosh për ndërtimin e një ekonomie më të gjelbër dhe të qëndrueshme në mbarë rajonin.

Neil Taylor, Udhëheqës i BERZH-it në Kosovë, thotë se: “Me KRK-në dhe partnerët tanë ne po sjellim një ndryshim të vërtetë në jetën e përditshme duke u ndihmuar qytetarëve të investojnë në zgjidhje me efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre. Bashkëpunimi ynë do të ndihmojë që të zvogëlohen emetimet, të përmirësohet cilësia e ajrit, si dhe të ndërtohet një ekonomi dhe e ardhme më e gjelbër për Kosovën.”

Ambasadori Tomáš Szunyog, Udhëheqës i Zyrës së BE-së/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë pohon se: “BE-ja promovon Marrëveshjen e Gjelbër, duke siguruar që investimet për efiçiencë të energjisë dhe teknologjitë e energjisë së ripërtërishme të jenë më të përballueshme për qytetarët. Furnizimi i pastër dhe i qëndrueshëm me energji është një prej gurthemeleve të ndihmës së financuar nga BE-ja”.

Kurse Lulzim Sadrija, Kryeshef i KRK-së, shton se: “Jemi tepër të kënaqur që po e zgjerojmë partneritetin tonë të fortë me BERZH-in që e kemi nisur prej vitit 2012. Fondet e reja të GEFF-it do t’i mbështesin klientët tanë - nga individët me të hyra të ulëta në zonat rurale të Kosovës deri tek ndërmarrjet mikro dhe të vogla, segmenti më i gjallë dhe me rritje më të shpejtë i ekonomisë sonë - për realizim të investimeve për teknologji dhe zgjidhje të gjelbra me performancë të lartë.”

Kjo është kredia e dytë e KRK-së në kuadër të GEFF-it, pas shfrytëzimit me sukses të një linje krediti prej 2 milionë eurosh të nënshkruar në vitin 2017. Deri më sot, rreth 1,000 amvisëri kosovare kanë përfituar nga programi GEFF, duke i ulur emetimet e CO2 për më shumë se 3,100 ton në vit.

Që nga fillimi i operacioneve të veta në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar 528 milionë euro. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, si dhe nxitja e integrimit rajonal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)