BERZH e interesuar të financoj projektet strategjike
Prishtinë, 15 tetor - Ministri i Financave Besim Beqaj priti në takim Drejtorin e ri për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Holger Muent. Ministri Beqaj e informoj rreth stabilitetit makro-fiskal në vend. Në këtë drejtim e informoj lidhur me ekzekutimin e buxhetit për vitin 2014 konform rregullës fiskale.
Ministri Beqaj theksoi që performanca e të hyrave tek Dogana është për 4% më e lartë krahasuar me 2013 përkundër të rënies së peshës së importeve për mbi 5% përderisa të hyrat tek ATK janë për 2% më të ulëta krahasuar me 2013 si rezultat i mos arkëtimit të hyrave të planifikuara nga AKP si pasojë e mos konsituimit të Kuvendit.
Ai gjithashtu e njoftoj z. Muent që Ministria e Financave konform bazës ligjore është në proces të hartimit të Buxhetit për vitin 2015 i cili është i bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015-2017.
Ministri Beqaj i njoftoi që konform Strategjisë me BERZH-in, Qeveria ka planifikuar projektet për financim nga ana e BERZH-it për vitet në vijim përkatësisht në Buxhetin e vitit 2015 dhe KASH-in 2015-2017 dhe në këtë drejtim ritheksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të nënshkruaj marrëveshjet për financim të projekteve përkatëse infrastrukturore me ndikim pozitiv në ekonomi dhe mirëqenien e qytetarëve tonë.
Ministri Beqaj, ftoi BERZH të intensifikoj më tutje komunikimin me sektorin privat në mënyrë që të identifikohen nevojat shtesë për financimin e projekteve sipas kushteve më të favorshme në fushat e ndryshme të ekonomisë, përkatësisht në prodhim, përpunim, shërbime dhe industritë e tjera potenciale për Zhvillim në Kosovë.
Ndërsa Drejtori Muent e falënderoi Ministrin Beqaj për bashkëpunimin e ofruar deri më tani dhe theksoi se BERZH është e interesuar të financoj projektet strategjike për ekonominë e Kosovës, me fokus të veçantë në financimin e projekteve të cilat kanë ndikim në rritjen e nivelit të investimeve private në vend.
Përfaqësuesit e BERZH-it gjithashtu falënderuan Ministrin Beqaj për bashkëpunimin e ofruar në drejtim të realizimit të marrëveshjes për financim të projektit të KOSTT-it në përmirësimin e rrjetit të transmisionit.