BERZH do të ofrojë mbështetje financiare për sektorin publik
Prishtinë, 30 gusht - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri, ka pritur në një takim lamtumirës shefin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Fabio Serri.
Ministrja Tahiri ka shprehur falënderimin e saj për kontributin dhe ndihmën e dhënë Kosovës nga BERZH-i, posaçërisht nga z.Serri.
Po ashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për hapat dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BERZH, për të cilën perspektivat janë hapur edhe më qartazi me vendimin e GJND-së, në favor të Kosovës.
Serri tha se angazhimi i BERZH-it për Kosovën është i vazhdueshëm, por pas anëtarësimit të saj në këtë institucion mbështetja financiare do të përqendrohet në sektorin publik, për të cilin ka nevojë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit.
Tahiri theksoi se Kosova dhe i gjithë rajoni duhet të integrohen sa më shpejt në BE dhe në institucionet financiare të saj, sepse i gjithë rajoni ka nevojë për një zhvillim më të shpejt si politik, po ashtu edhe ekonomik.