BERZH do ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen
Prishtinë, 2 tetor - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim drejtorin Rajonal për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Holger Muent, ku diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Me këtë rast, Ministri Hamza e njoftoi z. Holger Muent për prioritet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal.
Sipas tij, Ministria e Financave fokus kryesor në këtë mandat do të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e sektorit privat, sepse jemi të sigurt se sektori privat do të jetë bartës kryesor i rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës.
Në këtë takim, gjithashtu u diskutua për mbështetjen që ka dhënë BERZH-i deri më tani për financimin e projekteve kapitale të Qeverisë, në veçanti për projektet infrastrukturore, në sektorin e transportit, në sektorin e ujërave të zeza, si dhe për mbështetjen e skemës për garantimin e kredive.
Ndërsa, drejtori Rajonal për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Holger Muent shprehi gatishmërinë e BERZH-it që ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në fushat të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.