BERZH, 300 milionë euro për rrugët dhe energjinë shqiptare
Tiranë, 6 janar - Ministri i Financave, Ridvan Bode, vlerësoi mbështetjen e deritanishme të ofruar nga ana e BERZH, duke mirëpritur njëkohesisht propozimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera të rëndësishme për ekonominë shqiptare.
Në veçanti, Bode çmoi mbështetjen e ofruar nga BERZH, i cili në bashkëpunim me Bankën Botërore do të asistojnë në përgatitjen e një plani veprimi (Road Map) me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së Sektorit Elektroenergjitik.
Më tej, Bode theksoi si të rëndësishme mbështetjen e planifikuar të BERZH ndaj sektorit privat në fushen e koncesioneve në infrastrukturë dhe energjitikë, pasi kjo do të çlironte shumë burime financiare publike, që do të mund të përqendroheshin në fusha të tjera prioritare si, arsimi dhe shëndetësia.
Në përfundim, Bode i konfirmoi Chakrabarti-t angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të vijuar e mbyllur me sukses dhe në afatin e caktuar projektet në proces, të financuara nga BERZH, duke ritheksuar njëkohësisht dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në këtë kontekst.
Chakrabarti vlerësoi si të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm në një sërë projektesh investimesh në fushën e infrastrukturës nacionale dhe lokale, si dhe në fushën e energjitikës, ndër të cilat Rruga Levan Vlorë (29.5 milionë euro), Rruga Fier Tepelenë (35 milionë euro), Zhvillimi i Rrugëve Bashkiake (14.6 milionë euro), Zhvillimi i Rrugëve Rajonale dhe Lokale (50 milionë euro), Porti i Durrësit (14 milionë euro), Projekti i Nënstacioneve të Transmetimit të Energjisë (16 milionë euro) dhe Projekti i TEC Vlorë (40 milionë euro), që gjithsej bëjnë rreth 200 milionë euro.
Njëkohësisht, Chakrabarti siguroi ministrin e Financave se ky bashkëpunim do të konsolidohet më tej në të ardhmen duke vazhduar fokusimin në fushat e infrastrukturës dhe energjitikës, ku përmendi fillimin së shpejti të projekteve të By-Pass-eve të Fierit dhe të Vlorës (53 milionë euro), projektet e reja në infrastrukturën rrugore rajonale dhe lokale (34 milionë euro) si dhe Projekti i Përmirësimit të Sigurisë së Digës në HEC-et e Komanit (12.7 milionë euro).
Gjithashtu, Chakrabarti theksoi angazhimin e BERZH për të zgjeruar më tej këtë bashkëpunim, duke ofruar mbështetje ndaj sektorit financiar, bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe koncesioneve të dhëna sektorit privat në fushën e infrastrukturës.