Beqiri dhe Haraqija hetohen për korrupsion
Prishtinë, 10 prill - Armond Morina pritet të jetë mysafir në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Bashkë me të do të jenë edhe dy ish-ministra të Kulturës, Astrit Haraqija e Valton Beqiri, si dhe Nehat Fejza, për të dhënë përgjegjësi penale për projektet e parealizuara të filmave Mysafiri në sofër dhe Power Cuts.
Sipas Express dyshohet se ata janë bërë pjesë e një sofre korrupsioni vite më parë për këto projekte të parealizuara. Ata do të akuzohen këtë muaj për vepra që rrezikojnë burgim jo shumë të shkurtër.
Prokuroria e Qarkut e Prishtinës ka gjetur prova të bollshme për të akuzuar Valton Beqirin për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe pronarin e kompanisë Morina Films, Armond Morina, në lidhje me filmin Mysafir në sofër.
Një pjesë e parave janë dhënë e harxhuar për pica e pleskavica, derisa filmi nuk është shfaqur kurrë në ekranin e madh.
Ish-ministri i Kulturës, Haraqija, dhe pronari i kompanisë, Concordia Pictures, Nehat Fejza, po akuzohen lidhur me një film tjetër po kështu të parealizuar të quajtur Power Cuts. Mbi 180 mijë euro janë dhënë për të, derisa filmi - titulli i të cilit u ndërrua në Ndjekja e larës - kurrë nuk është realizuar. Për këto dy projekte, Prokuroria nuk ka gjetur asnjë kontratë të protokolluar në Ministrinë e Kulturës.