Beqaj takon zyrtarët e lartë të Thesarit Amerikan
Uashington, 9 shkurt - Ministri i Financave, Besim Beqaj, gjatë vizitës në Uashington ka pas takime me zyrtarë të larte të Thesarit të Shtetit, zëvendësasistetin e Sekretarit të Thesarit Amerikan, Larry Mcdonald dhe me zëvendësasistetin e Sekretarit për Evropë dhe Euroazi, Daleep Singh.
Me këtë rast ministri Beqaj i ka njoftuar zyrtarët e lartë te Thesarit me situatën ekonomike në vend duke theksuar se Kosova aktualisht ka normën më të lartë të rritjes ekonomike në regjion, ka stabilitet të theksuar makroekonomik dhe dallohet për disiplinë financiare, për qka ka edhe vlerësimet më të larta të Fondit Monentar Ndërkombëtar.
Ministri Beqaj ka informuar edhe për reformat të cilat janë nderrmarr dhe për përgatitjet për programin e ri me FMN.
I pari i Ministrise se Finacave ka folur gjërësisht për implementimit e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës dhe Planin e Veprimit për Parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit.
Duke nënvizuar se luftimi i fenomenit të ekonomisë jo-formale është prioritet parësor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe se është i dëmshëm për të gjithë dhe ka efekte negative për vet bizneset, të punësuarit dhe Qeverinë, ministri Beqaj tha se me këtë strategji synohet të realizohen politikat qeveritare të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijësimit në ndikimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale dhe krimeve financiare përmes transparencës, llogaridhënies, qeverisjes së mirë dhe partneritetit social.
Njëri ndër caqet që duhet të realizohet me këtë strategji është edhe promovimi i inteligjencës, hetimeve, ndjekjeve dhe procedurave përmbaruese në pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve relevante, zhvillimi dhe aplikimi i qasjes pro-aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve tjera financiare, zhvillimi i legjislacionit kombëtar që përshtatet me standardet ndërkombëtare dhe zbatimi efikas i ligjit, tha ministri Beqaj.
E tërë kjo, sipas ministrit Beqaj ka për qëllim që duke u mbështetur në dokumentet strategjike të Qeverisë, të sigurohet rritje e qëndrueshme ekonomike ku sektori privat ka rolin udhëheqës në ekonomi.
Ministri Beqaj me këtë rast ka theksuar se përmes dokumenteve strategjike janë bërë reforma substanciale që synojnë përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, që reflektohet edhe në raportet e fundit të Bankës Botërore.
Ai tha se Qeveria e Kosovës konsideron se ekonomia e Kosovës do të ketë një sektor privat të fuqishëm, vetëm atëherë kur konkurrenca do të jetë lojale dhe të gjitha bizneset trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ministri i Financave ka njoftuar zyrtarët e lartë amerikan edhe lidhur me Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe të ATK-së duke theksuar përparësitë që do të sigurohen me këtë ligj në funksionalizimin edhe me të lartë të këtyre dy institucioneve të rëdësishme të vendit.
Me këtë rast ministri Beqaj i falënderoi për përkrahjen e fuqishme që Thesari Amerikan i ka dhënë Kosovës, dhe shprehu mirënjohjen për punën e palodhshme dhe kontributin që përfaqësuesit e Thesarit Amerikan i kanë dhënë dhe i japin zhvillimit e letrave me vlerë dhe ngritjen e kapaciteteve të Thesarit të Republikës së Kosovës.
Ministri Beqaj foli edhe rreth planeve dhe hapave të ardhshëm për zhvillimin e tregut sekondar dhe lëshimin e letrave me vlerë me maturitë më të gjatë se një vjeçar.
Mcdonald dhe Singh, falënderuan Ministrin Beqaj për bashkëpunimin dhe e përgëzuan për reformat që janë duke u realizuar në kuadër të Ministrisë së Financave, dhe ofruan mbështetje të mëtejshme.