19 Nëntor 2024

Beqaj takohet me Kongresist amerikan dhe përfaqësues të FMN

Prishtinë, 11 tetor - Gjatë vizitës në Washington DC, me rastin e pjesëmarrjes në takimet vjetore 2013 të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ministri i Financave Besim Beqaj, është takuar me përfaqësuesit e Kongresit amerikan.

Ministri Beqaj është takuar me kongresistin Robert Aderholt, me të cilin ka diskutuar lidhur me progresin politik në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve me Serbinë, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë makrofiskale dhe financiare, implementimin e projekteve strategjike në sektorin e infrastrukturës rrugore, energjisë, telekomunikacionit, si dhe projektet e zhvilluara përmes partneritetit publiko-privat.

Ministri Beqaj ka falënderuar Kongresistin Aderholt për gatishmërinë e pa rezervë në drejtim të përkrahjes në tejkalimin e sfidave afatshkurtra me të cilat është ballafaquar Kosova gjatë këtyre viteve.

Me këtë rast Kongresisti Aderholt ka përshëndetur zhvillimet e fundit pozitive në këto fusha dhe njëkohësisht ka inkurajuar vendimmarrësit kosovar të vazhdojnë t’i kontribuojnë paqes, stabilitetit politik dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Ministri Beqaj është pritur edhe nga Kongresisti Eliot Engel të cilin e ka falënderuar përzemërsisht për kontributin e dhënë gjatë periudhave kritike nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Ministri Beqaj njoftoi Kongresistin Engel për politikat e reja fiskale të cilat pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e shkallës së ekonomisë joformale në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministri Beqaj gjithashtu njoftoi Kongresistin Engel për prioritetet e Ministrisë së Financave, të cilat synojnë krijimin e një ambienti të favorshëm biznesor në vend.

Në këtë drejtim, Ministri Beqaj njoftoi Kongresistin Engel për nismën në drejtim të krijimit të inspektoratit të ATK-së dhe Doganës, krijimin e Zyrës Nacionale kundër krimeve ekonomike, si dhe stimujt fiskal me synim të rritjes se shkallës së produktivitetit në vend dhe reduktimin gradual të shkallës së papunësisë.

Kongresisti Engel, ka përgëzuar udhëheqësit kosovar për politikat në drejtim të rritjes së investimeve kapitale dhe tërheqjes së investimeve të huaja përmes formës së partneritetit publiko-privat.

Ministri Beqaj gjithashtu është takuar me znj. Neman Shafik, zv. drejtoreshë menaxhuese e FMN-së dhe z. Johann Prader, drejtor ekzekutiv në konstituencën e FMN-së që mbulon Kosovën, me të cilët ka diskutuar rreth rishikimit të fundit të Marrëveshjes me FMN-në, ekzekutimin e buxhetit të vitit 2013, orientimin e buxhetit të 2014 sipas prioriteteve të Qeverisë si dhe lidhur me format e mundshme të bashkëpunimit të ardhshëm me FMN-në.

Me këtë rast, përfaqësuesit e lartë të FMN-së kanë vlerësuar gatishmërinë dhe profesionalizmin e ekipit kosovar në implementimin e suksesshëm deri në këtë fazë të Marrëveshjes me FMN-në.

Ministri Beqaj ka theksuar se mbetet çështje thelbësore që në kuadër të bashkëpunimit me FMN-në të balancohet stabiliteti makrofiskal, disiplina fiskale dhe financiare, si dhe zhvillimi i vendit me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Delegacioni kosovarë gjatë qëndrimit në SHBA do të takohet edhe me përfaqësuesit e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Bankës Botërore dhe Bashkësisë Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)