Beqaj: Procesi buxhetor ka shënuar përparime
Prishtinë, 10 korrik - Ministri i Financave Besim Beqaj ka vlerësuar sot se procesi buxhetor, që zhvillohet dhe koordinohet nga Ministria e Financave është i bazuar në politikat e Qeverisë për reforma ekonomike dhe strukturore.
Këto vlerësime ministri Beqaj i bëri në hapje të forumit "Nxitja e barazisë përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor", që u mbajt sot në Prishtinë, i organizuar nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Grave si dhe me përkrahjen e projektit të USAID-it Iniciativa për Rritje dhe Stabilitet Fiskal.
Me këtë rast ministri Beqaj theksoi se çdo iniciativë, vlerësohet në detale për ndikimet e mundshme buxhetore.
Pra, përgatitja dhe ekzekutimi i buxhetit është mirë i planifikuar dhe i fokusuar në zbatimin e reformave të Qeverisë. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se si i tillë, ky proces mund të përmirësohet edhe më shumë."
"Në vitet në vijim, ashtu si deri më tani me përkrahjen e donatorëve, ne synojmë të përmirësojmë edhe më shumë këtë proces, duke ndërlidhur të gjitha proceset e politikave të vendit me ciklin buxhetor. Për më shumë, do të fillojmë me procesin e përgatitjes së një sistemi që monitoron dhe vlerëson rezultate, respektivisht ndikimet e iniciativave individuale në orientimet strategjike të Qeverisë, tha kreu i MF-së.
Një dimension që do të duhej të adresohej në vitet në vijim është ai për të cilin ne po diskutojmë sot pra barazia gjinore. Kur e them këtë, dua të bëjë të qartë se buxhetimi gjinor nuk nënkupton alokimin e mjeteve apo një buxhet shtesë për femra apo meshkuj."
"Buxhetimi gjinor më tepër i referohet nevojës që gjatë procesit të disenjimit të politikave, të merren parasysh nevojat e grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke përshirë edhe aspektet gjinore. Dhe nëse arrijmë që në politikat tona të përfshijmë nevojat e grupeve të ndryshme të shoqërisë, atëherë përmes proceseve buxhetore, do të implementohen projekte që direkt apo indirekt do të përmirësojnë kualitetin e jetës së tyre, shtoi Ministri Beqaj.
Ai gjithashtu u shpreh se buxhetimi gjinor për vendet në zhvillim është një koncept jo shumë i zhvilluar.
Megjithatë, jemi të vendosur që në vitet në vijim, përmes proceseve të ardhshme buxhetore dhe reformave të vazhdueshme, të fillojmë me adresimin e kësaj çështje. Unë mendoj se diskutimet që do ti kemi sot, do të jenë një bazë e mirë për të vazhduar me punën e mëtutjeshme, duke identifikuar sfidat dhe mundësitë që të vazhdohet me reformat në përmirësimin e menaxhimit të Financave Publike, duke përfshirë këtu edhe përfshirjen e mundshme të aspekteve gjinore në buxhetet e ardhshme.
Në këtë forum pjesëmarrësit diskutuan mbi mundësinë dhe sfidat për formulimin e buxhetit duke pasur parasysh çështjet gjinore, proceset e formulimit të buxhetit në të gjitha nivelet e qeverisë, në kuadër të iniciativave të vazhdueshme për reforma buxhetore si dhe për të krijuar pronësinë politike të këtij procesi.
Panelistë të tjerë në këtë forum ishin edhe drejtoresha e misionit të USAID-it, Maureen Shauket, Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa ,Safete Hadergjonaj, anëtarja e Bordit të Odës Ekonomike të Grave Linda Shala, përfaqësues nga GIZ, Lukas Fischer si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare .