Beqaj: Privatzimi i PTK dhe KEDS po ecen sipas planit
Prishtinë, 27 dhjetor - Plotësimi i kornizës legjislative në fushën e ekonomisë, opinioni pozitiv i Traktatit të Komunitetit të Energjisë lidhur me ankesën e KOSTT dhe realizimi i 96 për qind i parashikimeve buxhetore të MZHE-së janë vlerësuar ndër sukseset kryesore të ministrisë për vitin 2011 nga ana e ministrit Besim Beqaj.
Në konferencën përmbyllëse për këtë vit, ministri Beqaj ka numëruar të arrituar e MZHE-së, stadin e projekteve që janë në realizim dhe prioritet për vitin 2012.
Duke u ndalë te sukseset, ai tha se MZHE ka plotësuar tërë agjendën e vet legjislative për vitin 2011, ngase janë aprovuar: Ligji për Efiçiencë të Energjisë; Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit; Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës; Ligji për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre; ka kaluar në Qeveri Projektligji për Shërbimet e Shoqërisë Informatike; pritet të aprovohen, Projektligji për Komunikime Elektronike; dhe Ligji i plotësuar për Ndërmarrjet Publike.
Gjithashtu janë finalizuar edhe aktet nënligjore si Strategjia Minerare 2012-2025, Strategjia e Ngrohjes 2011 2018, Muzeu, Renta Minerare, Hulumtimet Gjeologjike, Balancat e Energjisë, etj.
Sa i përket projekteve, PTK, KEDS dhe TC Kosova e Re, Beqaj tha se me disa përjashtime ato po shkojnë sipas planifikimeve, ndërsa nënvizoi se qëllimi i Qeverisë është menaxhimi sa më i mirë me asetet publike.
KQP ka marrë vendim për të rifilluar procesin nga pika 0. Duke pas për qëllim rritjen e vlerës së aksioneve KQP ka vendosur të ndërmarr disa reforma (ulja e shpenzimeve operative, etj.). Në Nëntor është proceduar me ndarjen e njësisë Posta dhe poashtu është shpallur njoftimi për shprehje të interesit për Këshilltar të Transaksionit i cili do të përmbyllet në Janar 2012, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së vlerësoi se projekti për privatizimin e KEDS-it ka vazhduar me një dinamikë të jashtëzakonshme, është bërë shpallja e ofertës dhe pritet që në muajin mars të shpallet fituesi për distribucionin.
Projekti i TC Kosova e Re ka pasur disa vonesa që kanë të bëjnë me Bankën Botërore dhe pas harmonizimit me ketë mekanizëm MZHE në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka vendosur që këshilltarin e transaksionit për TC Kosova e Re ta përzgjedh vet me çrast janë kursye rreth 6 milionë euro, tha ai dhe shtoi se orientimet e Qeverisë janë që ky projekt të bëhet në harmoni të plotë me BE dhe BB.
Më tej ministri nënvizoi se një MZHE ka vazhduar procesin e Monitorimit të 15 Ndërmarrjeve Publike dhe ushtrimin e rolit këshillëdhënës lidhur me respektimin e LNP, kodin e etikës dhe qeverisjes korporatave.
Beqaj me këtë rast ka përmendu edhe pjesëmarrjen dhe organizimin e takimeve të nivelit të lartë, ku hyjnë forumet biznesore, takimet në kuadër të Komunitetit të Energjisë, takimin e BERZH-it dhe takimet dypalëshe me homologë dhe liderë të shteteve të ndryshme.
Sa i përket prioriteteve për vitin 2012, ministri ka renditur; vazhdimi i implementimit të projekteve (PTK, KEDS, TC Kosova e Re); Organizimi i aktiviteteve me qëllim të promovimit të investimeve në fushën e Energjisë, Minierave, Telekomunikacionit dhe IT-së, etj; Fuqizimi dhe intensifikimit i bashkëpunimit me komunitetin e biznesit me qëllim të krijimit të politikave, strategjive të cilat do të ndikojnë në rritjen së konkurrueshmërisë së sektorit privat.