Beqaj premton përkrahje për zhvillimin e sektorit privat
Prishtinë, 31 maj - Anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë patën sot një mëngjes pune me Ministrin e sapoemëruar të Financave Besim Beqaj, gjatë të cilit u ngritën dhe u diskutuan çështje të interesit të përbashkët me temë kryesore fuqizimin e sektorit privat si shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Në fjalën e tij hyrëse, Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane Erolld Belegu, shprehu shqetësimin e komunitetit të biznesit lidhur me dinamikën e reformave për zhvillimin ekonomik të vendit, posaçërisht të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të mëtejmë të dialogut publiko-privat.
Ministri Besim Beqaj, theksoi se duke e njohur rëndësinë që ka sektori privat për zhvillimin ekonomik të vendit, Ministria të cilën ai e drejton do të mbështesë politikat dhe stimujt të cilët kanë për synim fuqizimin e mëtejmë të sektorit privat pa e cenuar stabilitetin makrofiskal.
Ai më tej shtoi se është i vetëdijshëm për faktin që Qeveria e Kosovës ka ndjekur një politikë më konservative fiskale, por që ka rezultuar të jetë e qëndrueshme, duke pasur parasysh problemet me të cilat përballen shumë prej vendeve të rajonit.
Në kuadër të këtyre politikave stimuluese ai përmendi projektligjin e ri të Mallrave të Liruara nga Detyrimet Doganore, që do të ndikojë në zhvillimin e sektorit prodhues, por edhe prezantimin e stimujve të tjerë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Meqë disa prej shqetësimeve të bizneseve ishin lidhur me shpenzimet e mëdha të transportit të mallrave, Ministri Beqaj i njoftoi ata se Qeveria, por edhe institucionet ndërkombëtare financiare tashmë kanë plane për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e posaçërisht asaj hekurudhore.
Në anën tjetër, anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane patën mundësinë që të ngrisin çështjet me të cilat ata preokupohen gjatë të bërit biznes, përfshirë ato që burojnë nga Ligji i Raportimit Financiar, çështjet e Ligjit të Ndërtimeve, si dhe nevojës së eliminimit të parregullsive në përgjithësi.