Beqaj po merr pjesë në takimet vjetore të BB dhe FMN
Washington, 8 tetor - Ministri i Financave Besim Beqaj po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Washington.
Gjatë vizitës së tij është takuar me përfaqësuesit e lartë të Departamentit të Thesarit me të cilët ka diskutuar rreth gjendjes së përgjithshme makroekonomike në vend, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së politikave makro-fiskale si dhe politikave të thesarit, përkatësisht orientimeve rreth borxhit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ministri Beqaj gjatë këtij takimi, falënderoj SHBA-në për përkrahjen e ofruar deri më tani, veçanërisht në drejtim të krijimit të themeleve të Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave, që në mënyrë plotësisht të pavarur dhe profesionale të zhvilloj funksionet dhe aktivitetet e thesarit.
Ministri Beqaj gjithashtu, diskutoi lidhur me implementimin e Marrëveshjes me FMN-në dhe progresin e arritur deri më tani, si dhe rreth formave të bashkëpunimit të ardhshëm me FMN-në, pas përfundimit të programit në fund të vitit 2013.
I pari i MF-së gjatë ditëve në vijim do të takohet me Kongresistët Eliot Engel dhe Robert Aderholt, përfaqësuesit ee udhëheqësisë së lartë të USAID-it, përfaqësuesit e BERZH-it, Standard and Poors, Këshillin Kombëtar Amerikano-Shqiptar, si dhe do të zhvillojë takime bilaterale me drejtues të BB-së dhe FMN-së.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Beqaj do të diskutojë lidhur me implementimin e Marrëveshjes Stand-By me FMN-në, ekzekutimin e buxhetit për vitin 2013, si dhe orientimet për hartimin e buxhetit konform prioriteteve për vitin 2014.
Ministri Beqaj gjatë kësaj vizite të rëndësishme, do të jetë i shoqëruar edhe nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.