Beqaj përkrah orientimet zhvillimore të komunës së Dragashit
Prishtinë, 9 maj - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka qëndruar sot në Komunën e Dragashit dhe me këtë rast përvec takimit me kryetarin e Komunës, Salim Jenuzi vizitoi edhe disa kompani në kësaj komune.
Ministri Beqaj përshëndeti dhe përkrahu orientimin e Komunës së Dragashit që prioritete të saj të jenë zhvillimi i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, blegtorisë dhe turizmit.
Beqaj ka vlerësuar veçanërisht orientimin e komunës që me një kompensim simbolik të japë në dispozicion të bizneseve prodhuese 36 hektarë tokë në afërsi të qytezës, në të cilën kanë filluar të ndërtohen objektet e para prodhuese, si bazë fillestare e krijimit dhe funksionimit të Qendrës së Biznesit.
Gjatë vizitës Industrisë së tekstilit Remateks e cila udhëhiqet nga nje biznes i suksesshëm nga Turqia, e cila tërë prodhimtarinë e vet e eksporton në vendet perëndimore, ministri Beqaj foli për orientimet e MZHE-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e kushteve sa më të volitshme për të bërë biznes, duke ofruar njëkohësisht përkrahjen konkrete të institucioneve të vendit për ekonominë prodhuese si bartëse e zhvillimit ekonomik.
Nga ana e tij, drejtori i Remateks Ismail Sen, kompani në të cilën janë punësuar 335 punëtorë nga komuna e Dragashit, ka falënderuar ministrin Beqaj për përkrahjen që i ka dhënë kompanisë dhe ka shtuar se seriozisht është duke u punuar në zgjerimin e objekteve ekzistuese dhe prodhimit.
Më pas ministri Beqaj vizitoi Qendrën e Biznesit, ku pa nga afër objektet e porsandërtuara të kompanisë Hit Flores e cila merret me kultivimin dhe grumbullimin e frutave të malit dhe kompaninë Zgatar komerc e cila i ka përfunduar objektet dhe shpejt pritet të fillon punën në prodhimin e trikotazhit, me çka fillimisht do të sigurohen 50 vende të reja pune.