Beqaj: Pakistani i interesuar për bashkëpunim ekonomik
Prishtinë, 20 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur në takim Ambasadorin e Pakistanit në Ankara, Muhammad Haroon Shaukat, i cili shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Yousuf Junaid dhe Atasheu i Medieve në Ankara, Abdul Akbar.
Në takim është diskutuar për situatën e përgjithshme ekonomike të Kosovës si dhe për bashkëpunimin e dy vendeve në këtë lëmi.
Me këtë rast ministri Beqaj ka pohuar se raportet me Pakistanin janë duke shkuar drejt një rruge të mirë të bashkëpunimit, e cila është e rëndësishme për ekonominë e vendit.
Pakistani tashmë është shtet me të cilin kemi raporte të mira dhe i cili është i interesuar për bashkëpunim në fushën ekonomike, prandaj për ne është i rëndësishëm ky bashkëpunim, ka thënë Beqaj.
Ndërsa Ambasadori i Pakistanit, Muhammad Haroon ka paralajmëruar vizitën e një delegacioni të biznesmenëve pakistanezë në Kosovë për të identifikuar për së afërmi sektorët në të cilët mund të bashkëpunohet në mes dy vendeve.
Pakistani është i interesuar të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e tekstilit, përpunimit të lëkurës si dhe do të shohim mundësi të bashkëpunimit edhe në fushat tjera ekonomike, ka thënë Haroon.
Me këtë rast ministri Beqaj dhe Ambasadori Haroon kanë diskutuar për lehtësimin e të bërit biznes në mes dy vendeve, ku dyja palët janë dakorduar të hartohet një memorandum për bashkëpunim ekonomik.