Beqaj nuk merr pjesë në takimin e Kombeve të Bashkuara
Prishtinë, 19 shtator - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj nuk është pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, siç kanë lajmëruar disa media vendore.
Ministri Beqaj do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Konferencës së Investitorëve e cila mbahet më 24 shtator 2012 në Uashington, organizuar nga Ministria Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Gjatë vizitës, ministri Beqaj do të ketë takime me përfaqësuesit e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Bankës Botërore, Departamentit për energji dhe atij për miniera.
Gjithashtu janë paraparë takime edhe me përfaqësuesit e USAID-it dhe një prezantim në SAIS center, i cili vepron në kuadër të Universitetit John Hopkins në Uashington.