Beqaj nënshkruan marrëveshjen me OFID
Vjenë, 5 shtator - Ministri i Financave Besim Beqaj ka nënshkruar sot në Vjenë Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID) në vlerë të 20 milionë dollarëve.
Në selinë e OFID-it në Vjenë, ministri Beqaj dhe presidenti i OFID-it Suleiman Al-Herbish kanë nënshkruar Marrëveshjen për financim në vlerë prej 20 milionë dollarëve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe OFID-it.
Marrëveshja për kredi do të financoj njërën nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës që është e përfshirë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve - zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë e cila pritet të përfundoj brenda tri viteve.
Me këtë rast Ministri Beqaj ka thënë se sot shënohet hapi i parë i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe OFID-it.
Është një nder i veçantë që po e fillojmë këtë bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona me këtë kredi zhvillimore për një projekt që do të lehtësoj dukshëm qarkullimin ndërmjet Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Ministri Beqaj ka theksuar nevojën e zgjerimit të aktiviteteve të OFID-it për mbështetje të sektorit privat duke përkrahur investimet në Kosovë.
Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, Presidenti i OFID-it, Al-Herbish ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në sektorin publik dhe privat.
Ndryshe, kjo Marrëveshje për financimin e zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, është një nga tri marrëveshjet financiare e cila do ta përmbyll konstruktin financiar të projektit. Në korrik Marrëveshja me Bankën Islamike për Zhvillim është ratifikuar në Parlament, ndërsa në fund të vitit pritet të përfundoj nënshkrimi i marrëveshjes së tretë për këtë projekt me Fondin Saudit për Zhvillim.