Beqaj nënshkruan dy marrëveshje me Bankën Islamike për Zhvillim
Dushanbe, 22 maj - Në kuadër të pjesëmarrjes në takimin vjetor të Bankës Islamike për Zhvillim që po mbahet në kryeqytetin e Taxhikistanit Dushanbe, Ministri i zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj sot ka nënshkruar dy marrëveshje me Presidentin e BIZH-it, Ahmad Mohamed Ali.
Marrëveshja e parë parasheh financimin e rrugës M2, përkatësisht rrugën Prishtinë-Mitrovicë ku BIZH do të financojë këtë projekt në shumën prej 20 milionë dollarë, ndërsa tjetra është Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim mes Kosovës dhe BIZH-it, e cila i paraprinë anëtarësimit të vendit në këtë institucion financiar, thuhet në komunikatën e MZHE-së.
Ndryshe në margjinat e takimit të 38 vjetor të BIZH, Ministri Beqaj ka takuar edhe Ministrin e Jashtem të Taxhikistanit, Hamrokhon Zarifi, drejtorin e OFID për rajonin e Azisë, Imhemed Bukader, Nënkryetarin dhe Drejtorin Menaxhues të Fondit Saudit për Zhvillim, Yousef I. Al-Bassam si dhe Khaled M. Al-Aboodi nga Korporata Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat (ICD).