Beqaj: Me Bordin e BERZH-it biseduam për projekte konkrete
Prishtinë, 23 tetor - Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se në takimin me anëtarët e Bordit të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim kanë biseduar për projekte konkrete dhe se i ka informuar lidhur me stabilitetin makroekonomik, për perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen në fushën e projekteve të karakterit vendor dhe rajonal.
Sot folëm për stabilitetin makroekonomik, për perspektivën ekonomike të vendit, por njëkohësisht edhe për raportet tona në të ardhmen në fushën e projekteve të karakterit rajonal, duke pasur parasysh hekurudhat, rrugët, involvimin e sektorit të energjisë dhe sektorë tjerë që gjithashtu janë me interes të veçantë për neve.
Por, njëkohësisht diskutuam edhe për një çështje tjetër, që EBRD-ja të involvohet edhe më tutje sa më shumë që është e mundur në sektorin privat, sepse ideja jonë është që zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës dhe mirëqenies të bëhet përmes sektorit privat, tha Ministri Beqaj.
Duke theksuar se kjo është vizita e parë e Bordit të BERZH-it në Kosovë, Ministri Beqaj theksoi se ky është një sinjal jashtëzakonisht i fuqishëm që EBRD-ja pas këtij viti të anëtarësimit është e angazhuar dhe bashkërisht do të shohim projektet e përbashkëta.
Janë dy projekte të cilat tanimë janë të aprovuara dhe janë duke u analizuar në kuptimin e përgatitjes së dokumentacionit, është projekti për linjën hekurudhore nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë Kosovë, dhe pastaj do të vazhdojnë edhe dy projekte të tjera të cilat do të shkojnë deri në kufi me Serbinë, do të thotë në drejtim të Veriut.
Një projekt tjetër i cili është duke u përgatitur dhe është në fazën e analizimit është financimi i rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës, ky është bashkëfinancim me Bankën Evropiane për Investime, dhe tani janë në procesin e përgatitjes së dokumentacionit, tha Ministri i Financave.
Pjesa tjetër e projekteve janë projektet energjetike, do të thotë duke përfshirë edhe financimin e projekteve që kanë të bëjnë me energjinë e ripërtëritshme por njëkohësisht edhe të linjave të interkonekcionit .
Projekti i cili është në fazën pothuajse përfundimtare është 90 milionë për hekurudhën nga kufiri me Maqedoninë deri në Fushë-Kosovë dhe pjesa tjetër deri në kufirin me Serbinë gjithashtu do të jetë diku rreth 90 milionë, tha Ministri Beqaj.
Kryesuesi i delegacionit të Bordit të Drejtorëve të BERZH-it, Evren Dilekli tha se pavarësisht se Kosova është një anëtare e re, është bërë një fillim shumë i mirë gjatë vitit të kaluar dhe se kanë plane shumë të qëndrueshme për të ardhmen.
Ai gjithashtu shprehi fuqimisht angazhimin e BERZH-it për të mbështetur popullin dhe shtetin e Kosovës dhe prosperitetin e ardhshëm të vendit.
Në vizitën tonë e cila është një vizitë relativisht e shkurtër, jemi duke u takuar me zyrtarë të Qeverisë, klientë ekzistues, përfaqësues të komunitetit, përfaqësues të administratës lokale dhe shoqërisë civile dhe jemi duke u përpjekur që të kuptojmë sa më shumë të jetë e mundur se si ne mundemi sa më mirë ta ndihmojmë Kosovën në planin e saj për të ardhmen, tha z. Dilekli.
Gjatë takimit është diskutuar për përvojën e deritanishme me autoritetet e BERZH-it, se si ata i vlerësojnë fushat e bashkëpunimit dhe gjithashtu në cilat fusha ne jemi duke u përqendruar dhe cilat janë ato fusha kritike, siç u përmendën: energjia, infrastruktura, zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i NVM-ve të cilat janë duke u shfaqur si fusha të rëndësishme për zhvillim të mundshëm në të ardhmen, tha kryesuesi i delegacionit të Bordit të BERZH-it.
Përfaqësuesit e delegacionit të Bordit të Drejtorëve të BERZH-it:
- Evren Dilekli, Drejtor për Turqi, Rumani, Azerbejxhan dhe Republikën Kyrgyz
- Sean Donlon, Drejtor për Irlandë, Danimarkë, Lituani dhe Kosovë
- Makoto Honda, Drejtor për Japoni
- Ove Jensen, Drejtor për Irlandë, Danimarkë, Lituani dhe Kosovë
- Artem Shevalev, Drejtor për Zvicër, Ukrainë, Lihtenshajn, Turkmenistan, Serbi, Mali I Zi dhe Moldavi
- Lyen Tran, Drejtor për SHBA
- Paul Vlaanderen, Drejtor për Holandë, Mongoli, Maqedoni dhe Armenia
- Kalin Mitrev, Drejtor për Bullgari, Poloni dhe Shqipëri
- Raphael Bello, Drejtor për Francë