Beqaj: Luftimi i ekonomisë joformale, prioritetet në 2014
Prishtinë, 11 dhjetor - Luftimi i ekonomisë joformale do të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Financave për vitin e ardhshëm, ka thënë Ministri Beqaj, gjatë prezantimit të rezultateve të hulumtimit të Informalitetit, nga këndvështrimi i bizneseve në Kosovë, organizuar nga Instituti Riinvest, FES dhe KFOS.
Në këtë kontekst, ne tanimë jemi duke punuar intensivisht në finalizimin e Strategjisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, pastrimit të parave dhe financimin e krimeve ekonomike, që do të mbuloj periudhën 2014-2018.
Ministri Beqaj ka thënë se përveç Strategjisë, Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Evropian kanë bërë studimin për nivelin e riskut kombëtar duke identifikuar edhe faktorët që ndikojnë në shtrirjen e tij dhe ky studim do të jetë një kontribut i mirë ndaj Strategjisë për parandalimin e ekonomisë joformale.
Në të vërtetë, ekonomia jo-formale vazhdon të jetë një prej sfidave të cilën Ministria e Financave dhe Qeveria e vendit është duke e adresuar me kujdes të veçantë. Ju tani më e dini se duke u mbështetur në dokumentet strategjike të Qeverisë, ne synojmë një rritje të qëndrueshme ekonomike ku sektori privat ka rolin udhëheqës në ekonomi. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset dhe njëra nga këto vështirësi është edhe shkalla e informalitetit që sfidon në masë të konsiderueshme parimin e barabarësisë në treg., tha i pari i Ministrisë së Financave.
Qeveria e Kosovës konsideron se ekonomia jonë do të ketë një sektor privat të fuqishëm, vetëm atëherë kur konkurrenca do të jetë e shëndoshë dhe kur të gjitha bizneset trajtohen në mënyrë të barabartë, tha ministri Beqaj.
Gjatë viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh në fushën e legjislacionit, janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme ndërshtetërore me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve për parandalimin e ekonomisë jo formale si dhe në kuadër të ndërtimit të strukturave dhe forcimit të kapaciteteve që mbështesin parandalimin e ekonomisë joformale, është punuar mjaft, si në strukturat ekzistuese, po ashtu edhe në krijimin e atyre të reja, ka thënë ministri Beqaj dhe ka shtuar se si rrjedhojë e rritjes së bashkëpunimit dhe komunikimit me vendet partnere, tani vlera e mallrave të importuara përputhet pothuaj njëqind për qind me vlerën e deklaruar si eksporte nga vendet ku ne importojmë.
Ministri Beqaj theksoi se në luftën kundër informalitetit në ekonomi është bërë mjaft, por mbeten edhe shumë punë dhe sfida në mënyrë që kjo dukuri të zvogëlohet në masën sa më të vogël të mundshme.