Beqaj: Lufta kundër ekonomisë joformale prioritet për vitin 2014
Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Financave Besim Beqaj ka deklaruar sot se zhvillimet ekonomike në vend i karakterizojnë stabiliteti makrofiskal, rritja më e lartë ekonomike nga të gjitha vendet e regjionit dhe përmbyllja me sukses e SBA me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Duke folur ne takimin konstitutiv të Këshillit Konsultativ të formuar nga Dogana, Administrata Tatimore dhe përfaqësuesit e biznesit, ministri Beqaj ka thënë se shkalla e zhvillimit ekonomik të vendit është më e larta në regjion.
Si rezultate të rëndësishme ai ka përmendur stabiliteti makrofiskal të vendit dhe përmbylljen e programit SBA me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa nder sfidat kryesore luftimin e ekonomisë joformale.
Ky Program nuk ka qenë i lehtë, por përkushtimi dhe puna e të gjithë neve ka bërë që ta përmbyllim me sukses këtë program dhe se Kosova në këtë rast ka dhënë një shembull të mirë se si fillohet dhe përfundohet një program me FMN-në, ka thënë ministri Beqaj dhe ka shtuar se Qeveria e Republikës se Kosovës gjatë kësaj periudhe ka treguar se është e zotuar për reforma, është e zotuar për zhvillim ekonomik dhe është e zotuar për mbajtjen e disiplinë fiskale dhe stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik, ka thënë ministri Beqaj.
Ai ka thënë se aktualisht ne kontakte me FMN-në janë duke u shikuar mundësitë e një bashkëpunimi të mëtutjeshëm dhe se ideja fillestare është që të diskutohet për një lloj programi që është më i lehtë se ky që po përfundohet dhe që reflekton të arriturat e deritanishme të vendit tonë.
Ai ka përmendur se projekt ligji mbi Buxhetin për vitin 2014 është hartuar për herë të parë duke pas parasysh rregullën fiskale e cila lejon 2 % deficit buxhetor nga bruto produkti vendor.
Duke vlerësuar lartë angazhimin e Doganave dhe Administratës Tatimore te Kosovës, ministri Beqaj ka theksuar se në Dogana është duke u bërë një reforme e mirëfilltë e cila për qëllim ka rritjen e performances së këtij institucioni.
ATK ka performuar më mirë se sa ishte plani vjetor dhe substancialisht më mirë krahasuar me vitin që shkoi, vlerësoi ministri Beqaj.
Duke theksuar se viti 2014 do të jetë për plotë me sfida ministri Beqaj theksoi se një ndër prioritetet e Ministrisë do të jete lufta kundër ekonomisë joformale.
Në mbledhjen konstituive për kryetar të Këshillit Konsultativ me mandat u zgjodh kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ndërsa për nënkryetar drejtori i përgjithshëm i ATK-së Behxhet Haliti.