Beqaj: Kosova model për stabilitetin financiar
Prishtinë, 19 nëntor - Republika e Kosovës ka dëshmuar angazhimin e saj në ruajtjen e stabilitetit financiar, që është përshëndetur edhe nga organizatat ndërkombëtare financiare dhe se Kosova mund të konsiderohet si shtet model për vendet e rajonit dhe më gjerë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Këto komente Beqaj i bëri në fjalën e tij në Forumin e 9-të Ekonomik të Vjenës, ku është diskutuar rreth rëndësisë së bashkëpunimit rajonal, me qëllim të përshpejtimit të rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me çrast ka nënvizuar se vullneti dhe përkushtimi politik i Qeverisë, ka ndikuar në eliminimin e skepticizmit të disa shteteve për jetëgjatësinë e shtetit të Kosovës të krijuar me shpalljen e pavarësisë.
Kosova është anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta me shtetet anëtarë në BB-së, FMN-së dhe tani pas anëtarësimit në BERZH, do të krijohen mundësi të reja për fuqizimin e sektorit privat, përmes rritjes së potencialit për kreditim të projekteve të ndryshme, të cilat kanë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, tha ai.
Ministri Beqaj tha se bashkëpunimi rajonal në të kaluarën, nuk ka dhënë rezultatet e pritura, andaj iniciativat e ndryshme rajonale sikurse CEFTA, Traktati për Komunitetin e Energjisë dhe shumë të tjera, duhet të zbatohen në praktikë.
Ai theksoi që Kosova është duke luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve në rajon dhe kjo është dëshmuar përmes realizimit të reformave strukturore në ekonomi dhe të projekteve të mëdha në vend. Kjo rritje e vazhdueshme e investimeve në vend, konfirmon qartë që investitorët rajonal dhe ndërkombëtar kanë besim në politikat e Qeverisë.
Ministri Beqaj potencoi që vendet e rajonit me përkrahje të partnerëve ndërkombëtar, duhet të fokusohen më shumë në adresimin e sfidave dhe problemeve me të cilat është duke u ballafaquar rajoni, si aktivitetet e krimit të organizuar të cilat kanë dëmtuar imazhin e vendeve të rajonit.
Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përcaktuar të krijojë parakushtet elementare për bizneset, të cilat operojnë në vend, në mënyrë që të krijohet një ambient më i favorshëm biznesor, si dhe më qëllim të realizimit të bashkëpunimit të suksesshëm më vendet e rajonit.
Në këtë aspekt, infrastruktura rrugore e ndërtuar në drejtim të Shqipërisë, si dhe planet afatmesme për ndërtim të infrastrukturës rrugore drejt Maqedonisë dhe Serbisë, dëshmojnë edhe njëherë faktin që Kosova dëshiron të jetë partner konstruktiv në rajon, ka thënë Beqaj.
Kreu i MZHE-së, theksoi që BE është duke ofruar perspektivë të qartë për Kosovën duke filluar proceset e rëndësishme që ndërlidhen me anëtarësimin e Kosovës në BE.
Ministri sBeqaj tha që liberalizimi i vizave duhet të përshpejtohet si proces, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, sikurse qytetarët e vendeve të rajonit.
Për fund, ai vlerësoi që rajoni në përgjithësi ka nevojë për më shumë rajonalizim të politikave, bashkëpunim ekonomik më të intensifikuar, si dhe më pak politikë.
Në këtë Forum pjesëmarrës ishin ministrat e vendeve të rajonit, ministrat federal për ekonomi dhe financa të Austrisë, ambasadorët e vendeve të ndryshme, përfaqësues të organizatave etj.