Beqaj kërkon nga komunat angazhim në drejtim të menaxhimit të financave publike
Prishtinë, 3 dhjetor - Ministri i Financave Besim Beqaj, ka theksuar se Ministria e Financave me përkushtim është duke zbatuar kornizën ligjore të financimit për komunat, dhe reformat e nisura gjatë proceseve buxhetore duke aplikuar parimet standarde mbi performancën e mirë në menaxhimin e financave publike.
Gjatë takimit me kryetarët e komunave, drejtorët e departamenteve të financave dhe zyrtarët kryesor financiar, të organizuar nga Ministria e Financave, Ministria e Pushtetit Lokal, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Ministri Beqaj theksoi se procesi i decentralizimit ka forcuar më tej rolin dhe përgjegjësitë e komunave në vendim-marrjen më afër qytetarëve si dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara ndaj qytetarit.
Mirëpo, krahas përmbushjes së misionit të komunave dhe aktiviteteve për të cilat janë përgjegjëse, përveç që, të gjithë duhet të sigurohemi se ato kryhen në pajtueshmëri me kuadrin ligjor, është përgjegjësi mbi të gjitha, që këto aktivitete të realizohen duke përdorur fondet publike, në mënyrë efiçiente, efektive dhe më ekonomike, ka thënë me këtë rast Ministri Beqaj.
Ai tha se për herë të parë është përgatitur një dokument diskutimi nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, i cili sjellë para pikë referime apo të dhëna krahasuese dhe analiza midis komunave, mbi performancën financiare të shërbimeve të ofruara.
Duke theksuar se është i bindur se objektivat dhe puna e përditshme e të gjithë të pranishmëve është në interes të të gjithë qytetarëve, Ministri Beqaj ftoi të pranishmit që të reflektojnë me punën dhe angazhimin e tyre ditor, për ti ofruar qytetarit shërbimin që meriton, por njëkohësisht edhe duke arsyetuar se janë përdorur (planifikuar dhe shpenzuar) fondet publike në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
Ministri Beqaj u angazhua për një qeverisje të mirë efektive lokale; për vendosmëri për përdorim ligjor, efektiv, efiçient dhe ekonomik të burimeve publike dhe që lartë në agjendën e të gjitha komunave dhe institucioneve të jetë angazhimi për menaxhim efektiv të financave publike.
Ai vlerësoi si praktikë të keqe dhe tregues për mosmenaxhim të mirë të parasë publike, bartjen e mjeteve vetanake të komunave nga viti në vit.
Bartja e të hyrave nga viti në vit është praktikë e keqe, sepse nuk është menaxhim i mirë i parasë publike. Ato mund të bartën prej një viti në vitin tjetër, por jo të bartën tre, katër vite të shfrytëzohen vetëm atëherë kur i duhen dikujt për ti shfrytëzuar, tha Ministri Financave.