Beqaj kërkoi nga Turqia përkrahje për anëtarësimin në BERZH e OBT
Stamboll, 17 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka takuar sot në Stamboll kyeministrin e Turqisë, Recep Tayip Erdoan me të cilin ka bisedua rreth gjendjes ekonomike në dy vendet dhe proceseve të rëndësishme nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik dhe Energjisë të Detit të Zi, ministri Beqaj u takua me Zv. Kryeministrin e Turqisë të ngarkuar me ekonomi, Ali Babacan ku janë diskutuar zhvillimet ekonomike dhe janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit bilateral në sferën e ekonomisë mes të dy shteteve.
Me këtë rast, Beqaj ka shpalosur projektet konkrete të cilat janë duke u realizuar në fushën e energjisë, minierave, telekomunikacionit, infrastrukturës rrugore, turizimit dhe gjithashtu ka njoftuar z. Babacan rreth potencialeve për investime nga ana e ndërmarrjeve turke në Republikën e Kosovës.
Në këtë drejtim, Ministri Beqaj ka prezantuar prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe masat të cilat janë implementuar me qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm afarist, e cila do të ndikojë në zvogëlimin e normës së papunësisë dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike në vend.
Ai gjithashtu ka theksuar që baza ligjore për intensifikimin dhe lehtësimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve ekziston dhe pjesa tjetër e marrëveshjeve janë në proces të negocimit, të cilat brenda periudhës së shkurtë kohore do të nënshkruhen nga institucionet përkatëse të të dy vendeve.
Nga ana e tij, Ministri Babacan ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të inkurajuar dhe përkrahur institucionalisht ndërmarrjet turke që të eksplorojnë mundësitë për investime në Kosovë.
Ministri Beqaj është takuar edhe me homologun e tij, Taner Yildiz ministër për Energji dhe Resurse Natyrore. Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth projekteve në fushën e energjisë, me çrast janë ftuar ndërmarrjet turke për të konkurruar fuqishëm në këto procese të rëndësishme.
Yildiz, ka shprehur bindjen e tij të thellë që vullneti, dëshira, interesimi dhe mundësitë ekzistojnë, andaj në këtë kontekst ai ka shprehur qëndrimin që institucionet përkatëse do të vazhdojnë të përkrahin iniciativat të cilat ndikojnë në krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm ekonomik në mes të dy vendeve.
Ministri Beqaj ka kërkuar nga autoritetet turke që të përkrahin Republikën e Kosovës në rrugën e anëtarësimit në BERZH, OBT dhe institucionet dhe organizatat e tjera.
Kreu i MZHE-së po ashtu ka propozuar që shteti i Turqisë të analizoj mundësinë e ofrimit në mënyrë unilaterale të Masave Autonome Tregtare ndaj Republikës së Kosovës, me qëllim rritjes së vlerës së eksporteve drejt këtij vendi.