Beqaj është takuar me kongresmenin amerikan Robert Aderholt
Prishtinë 6 qershor - Ministri i Financave Besim Beqaj është takuar me kongresmenin amerikan Robert Aderholt, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend , për stabilitetin markofiskal në vend dhe proceset që ndërlidhen me menaxhimin e financave publike.
Ku sipas Ministrit Beqaj Kosova vazhdon të ketë qëndrueshmëri buxhetore dhe stabilitet makrofiskal, dhe gjithashtu ka krijuar parakushte për zhvillim ekonomik dhe stimulim të investimeve në vend me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës.
Ministri Beqaj e njoftoi kongresmenin Aderholt lidhur me masat më të reja në politikën fiskale , si dhe lidhur me përkrahjen e sektorit të bujqësisë dhe prodhimtarisë në vend, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në rritjen ekonomike, në rritjen e produktivitetit dhe rritjen e nivelit të eksporteve.
Ai gjithashtu e njoftoi ate për investimet që pritet të bëhen gjatë viteve të ardhshme në sektorin e bujqësisë dhe sektorët e tjerë me përparësi konkurruese të cilët janë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
I pari i Ministrisë së Financave duke falënderuar shtetin dhe popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës gjatë gjithë etapave të zhvillimit të shtetit të Kosovës, me këtë rast, potencoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që përkrahja dhe ndihma që i është dhënë deri më tani Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen, meqenëse Kosova ka nevojë për përkrahjen e partnerëve strategjikë të saj.
Ndërsa, kongresmeni amerikan Robert Aderholt e falënderoi ministrin Beqaj për mikpritjen dhe vlerësoj se Kosova ka bërë progres në të gjitha fushat e zhvillimit të shtetit.