19 Nëntor 2024

Beqaj: Buxheti në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike

Prishtinë, 21 nëntor - Ministri i Financave Besim Beqaj  ka thënë sot gjatë seancës së Kuvendit të  Republikës së Kosovës se Buxheti i prezantuar para deputetëve është në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri e stabilitet makro-fiskal. 

“Besojmë se me këtë propozim kemi arritur që t’i financojmë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ministri Beqaj duke arsyetuar Projektligjin mbi Buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2014 para deputetëve të Parlamentit.

“Në mungesë të Politikës Monetare, Propozim-buxheti të cilin po e prezantoj sot për miratim, është dokumenti kryesor i zhvillimit të politikave ekonomike të vendit, i cili si i tillë do të sigurojë vazhdimin e rritjes ekonomike dhe rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies dhe standardit të qytetarëve tonë”, tha ministri Beqaj.

“Dëshiroj të theksoj edhe një herë se me këtë Propozim-buxhet,  kemi bërë përpjekje maksimale që të akomodojmë të gjitha prioritetet e Qeverisë për financim”.

Struktura e propozuar buxhetore bazohet në projeksionet për përformancën e ekonomisë sonë për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, duke marrë për bazë efektet e mundshme të  krizës në vendet e Eurozonës dhe vende në rajon, tha i pari i MF-së.

“Me këtë rast dëshiroj të ju konfirmoj se propozim buxheti të cilin po e prezantoj para jush, është përgatitur në pajtim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ne kemi pasur diskutime intensive me Misionin e FMN-së dhe kemi arritur që të pajtohemi lidhur me të gjitha kategoritë e të hyrave dhe shpenzimeve. Përvec negociatave për strukturën e të hyrave dhe shpenzimeve, ne kemi zhvilluar diskutime edhe për politikat dhe reformat që Qeveria planifikon të ndërmarrë në periudhën afatmesme, të cilat janë përkrahur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Ministri Beqaj theksoi se konform obligimeve të Republikës së Kosovës në raport me marrëveshjen Stand-By të FMN-së, Kosova ka arritur të përmbush të gjitha kriteret e përformancës dhe ato strukturore.

“Si rezultat i implementimit me sukses të këtij programi, Kosova ka marrë një pjesë të konsiderueshme të mjeteve prej mbi 94 milionë euro nga FMN”, tha Ministri i Financave.

Ministri Beqaj tha se përgatitja e këtij Propozim-Buxheti nuk do të duhej të shihet si një buxhet i shkëputur vjetor, por më shumë si një buxhet me efekte afat-gjate dhe i  integruar në Kornizën afatmesme ekonomike dhe fiskale të Qeverisë.

“Në këtë kontekst, më lejoni që shkurtimisht të flas mbi pritjet tona për rritje ekonomike në vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, të cilat janë reflektuar në detale në Deklaratën e Prioriteteve të Politikave të Qeverisë dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2014-2016,  dokumente këto të cilat në tërësi përfshijnë prioritetet e dala nga Plani i Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës.

Ne presim që edhe në vitin 2014 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes. Presim që edhe në vitin 2013, norma e rritjes ekonomike të jetë ndër më të lartat në rajon (2014 4.1%; mesatarja për tri vite=4.6%),  duke u bazuar në projeksionet tona për rritje të investimeve, eksporteve dhe konsumit.

Investimet private, si një komponentë shumë e rëndësishme e rritjes ekonomike pritet që gjatë tri viteve të ardhshme të rriten nominalisht me një normë mesatare prej rreth 10%.

Eksportet e përgjithshme në vitin 2014 pritet të kenë një rritje prej rreth 7% ndërsa vetëm eksportet e mallrave, do të rriten rreth 10%. Kjo normë relativisht e lartë e pritjes për rritje të eksporteve, së bashku me një normë më të ulët të rritjes së importeve (4%) pritet që ta përmirësoj Bilancin negativ tregtar që vazhdon të jetë i lartë dhe që paraqet sfidë për ekonominë e vendit tonë.

Konsumi agregat për vitin 2014 dhe dy vitet në vijim pritet të ketë një rritje mesatare prej rreth 6.2%, dhe po ashtu të njëjtën rritje pritet të ketë edhe konsumi privat.

Meqenëse ekonomia jonë është mjaft e hapur ndaj lëvizjeve në tregjet regjionale, Evropiane dhe më gjerë, ecuria e çmimeve në vend në masë të madhe do të varet nga ecuria e çmimeve të  mallrave  në nivel global. Për vitin e ardhshëm, projeksionet tona që marrin parasysh edhe pritjet për ecurinë e çmimeve të importit, tregojnë se do të kemi një ngritje modeste të çmimeve për rreth 1.5%.

Dërgesat e qytetarëve tonë që punojnë dhe veprojnë në diasporë vazhdojnë të jenë një financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve dhe  presim që edhe në vitet në vijim, niveli i këtyre dërgesave të jetë stabil”.

Ministri Beqaj theksoi se sa i përket pritjeve për zhvillimet ekonomike në vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, vlerësohet që ekonomia e vendit do të vazhdojë të rezistoj ndaj tronditjeve të jashtme dhe rrjedhimisht, rritja ekonomike do të vazhdoj të jetë pozitive dhe ndër me të lartat në regjion dhe më gjerë.

“Për vitin 2014, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 458 milionë euro,(apo një rritje prej rreth 2.5% krahasuar me vitin 2013).

Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten me rreth 7%, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me rreth 22%. Kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit.

Rritje planifikohet të ketë edhe tek të hyrat tjera buxhetore, duke përfshirë të hyrat jo-tatimore (8.5%) dhe të hyrat vetanake të Komunave (6.7), ndërsa është planifikuar një rënie në të hyrat vetanake të nivelit qendror (-31%), që reflekton pritjet për të hyra të njëhershme në këtë vit, e që nuk do të kemi të njëjtën vitin e ardhshëm.

Rrjedhimisht duke marrë parasysh këtë nivel të të hyrave, ne kemi bërë propozimin e buxhetit për shpenzimet të cilat do të realizohen në vitin e ardhshëm.

Shpenzimet e përgjithshme për vitin 2014 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliardë e 590 milionë euro, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2013”.

Shikuar nga këndvështrimi i kategorive ekonomike, buxheti për Paga dhe Mëditje pritet të ketë një rritje të konsiderueshme nga 435 milionë EUR në vitin 2013 në 483.4 milionë EUR në vitin 2014. Ky buxhet reflekton zotimin e Qeverisë për rritje të pagave të të gjithë shërbyesve civil, duke marrë parasysh përfromancën dhe efektivitetin e punës së  tyre.

Rritje është planifikuar edhe në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve (nga 225 milion në vitin 2013, në 252 milion në 2014 apo një rritje prej 12%). Kjo bëhet me qëllim të reflektimit të nevojës për përkrahje të reformave në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë, shëndetësisë, arsimit si dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së zgjeruar rrugore, të shkollave, objekteve të administratës publike, etj.

Gjithashtu, edhe kategoria e  Subvencioneve dhe Transfereve është planifikuar që të rritet nga 299 në 316 milion EUR (një rritje prej 5.7%). Kjo rritje shkon për përkrahjen e rritjes natyrale të skemave ekzistuese, skemave të reja sociale (ligji për ish të ndjekurit politik dhe ligji për veteranet e luftës).

Sa i përket shpenzimeve kapitale, ato pritet të jenë në vlerë prej 531 milionë EUR. Me këtë buxhet të planifikuar, pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme buxhetore mbetet edhe më tutje e lartë në rreth 33%.

Edhe me buxhetin e planifikuar, ne do të vazhdojmë me investimet tona në gjitha fushat me prioritet dhe ajo që është shumë e rëndësishme, do vazhdohet me investime në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë edhe Autostradën në drejtim të Maqedonisë si dhe ndërtimin e shumë projekteve tjera të rëndësishme në mesin e tyre edhe ndërtimin e rrugëve  M2 dhe M9, respektivisht rrugët për Mitrovicë dhe Pejë .

Beqaj ka thënë se Kosova në strukturën e vetë të shpenzimeve ka përqindjen më të lartë të ndarjeve për investime kapitale në regjion dhe qëndron shumë lartë edhe krahasuar me standardet e shteteve të BE.

Gjithashtu ky buxhet parasheh financimin e reformave të Qeverisë në sektorët e: Arsimit, Shëndetësisë, Administratës Publike, Sigurisë,  Bujqësisë,  Ambientit e kështu me radhë.

Në këtë drejtim ju njoftoj më konkretisht rreth buxhetit të planifikuar sipas sektorëve me prioritet:

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: rritje në buxhetin e vitit 2014 për rreth €4 milionë. Kjo rritje mbulon obligimet nga huamarrja që ka kjo ministri dhe kryesisht reflekton në rritjen e subvencioneve për sektorin e bujqësisë; 

Ministria e Shëndetësisë: rritje për rreth €7.5 milionë, që kryesisht reflekton reformën në sektorin e Shëndetësisë si dhe një hua nga Banka Botërore ne shumën prej 25 milionë dollar. 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rritje për €5 milionë për të vazhduar me reformat në fushën e Arsimit dhe për mbulimin e nevojave të Universiteteve të reja;

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: rritje për rreth €23.0 milionë prej të cilave €15 milionë për 2 skemat (për ligjin për veteranët e luftës dhe për ligjin për ish të burgosurit politik) dhe pjesa tjetër është planifikuar për rritjen natyrale të përfituesve të skemave sociale dhe pensionistëve;

Është rritur buxheti për Sektorin e Drejtësisë dhe Sigurisë, kryesisht për forcimin dhe përkrahjen e reformave të këtij sektori, procesin e liberalizimit të vizave si dhe për implementimin e marrëveshjes  Kosovë – Serbi, si në vijim:

Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit- janë ndarë €4.0 milionë për riorganizimin e Kompleksit “Trepça”.

Ministria e Diasporës: rritje në buxhetin 2014 për rreth €2.2 milionë në përkrahje të regjistrimit të diasporës; 

Është me rëndësi të theksohet se ky Propozim-buxhet, parasheh edhe financimin e projekteve sipas prioriteteve të të gjitha komunave.

Kur flasim për nivelin lokal, dua të ju informoj se Qeveria ka vazhduar me fleksibilitetin e mëtutjeshëm të kritereve për shpërndarje të buxhetit. Për Buxhetin e vitit 2014, Komunat kanë bërë shpërndarjen e të hyrave vetanake në kategoritë e shpenzimeve Kapitale, Mallra dhe Shërbime apo Transfere dhe Subvencione, në mënyrë që prioritetet e tyre të adresojnë nevojat e qytetarëve tanë.

Komunat e Rahovecit dhe Hanit të Elezit, nuk kanë arritur të aprovojnë buxhetin në Kuvendet Komunale. Si rrjedhojë, duke u bazuar në nenin 62 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, është marrë për bazë niveli i Buxhetit 2013 për këto dy komuna.

Në fakt, kjo tabelë shtesë specifikon ndarjet Buxhetore të aprovuara me dokumentin e KASH-it 2014-2016 dhe përmes Qarkoreve Buxhetore 2014/01 dhe 02 për komuna, ndërsa diferenca e granteve qeveritare dhe të hyrave vetanake është prezantuar në pjesën e bilancit të kësaj tabele.

Projekti i Qeverisë që ka filluar në janar të vitit 2012 për emetimin e letrave me vlerë, deri tani sipas Beqajt ka qenë shumë i suksesshëm dhe ne presim që edhe vitin e ardhshëm të vazhdojmë me emetimin këtyre instrumenteve.

Kostoja e këtij burimi të financimit ka qenë shumë më e ulët se sa kostoja e vendeve në rajon dhe  presim që edhe në vitin e ardhshëm të kemi një kosto përafërsisht të njëjtë me atë të këtij viti. Kjo reflekton stabilitetin e sektorit financiar e bankar si dhe sigurinë dhe perceptimin pozitiv të investitorëve për vendin tonë.

Me anë të këtij propozim-buxheti, mundësohet respektimi në tërësi i Rregullës fiskale i cili kufizon deficitin e përgjithshëm buxhetor në 2% të BPV-së i cili është paraparë me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Në të njëjtën kohë përmes implementimit të kësaj rregulle sigurohet  një qëndrueshmëri afat-gjate të financave publike të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)