Beqaj: Aftësimi i ndërmarrësve, avancim i sektorit privat
Profesorët nga institucionet e arsimit të lartë kanë lansuar idenë e krijimit të rrjetit të ndërmarrësve përmes krijimit të inkubatorëve për zhvillimin e ndërmarrësisë, ku ndërmarrësit do të kenë mundësi të aftësohet dhe përfitojnë njohuritë nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
Nga ana e tij, ministri Beqaj ka njoftuar profesorët për orientimet ekonomike të Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për programet që do tu ndihmojë studentëve që të përfitojnë njohuritë dhe praktikat më të reja të ndërmarrësisë.
Zhvillimi i sektorit privat është prioritet kyç dhe Qeveria është duke investuar në projekte kapitale me qëllim të krijimit të infrastrukturës fizike dhe ligjore, gjë që do të ndikonte në përmirësimin e kushteve që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik në vend, ka thënë Beqaj.
Sipas tij, struktura kryesore që mund të jetë bartëse e këtij procesi janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe Qeveria është e orientuar drejt krijimit të parakushteve për zhvillimin dhe avancimin e inovacionit, që ndërmarrjet tona të jenë më konkurruese në tregun vendor dhe ato ndërkombëtar.
Ministri Beqaj tha se Kosova ka potencial të fuqishëm njerëzor, i cili mund të aftësohet përmes programeve të ndryshme dhe kjo mund të konsiderohet si përparësi si për investitorët vendorë, ashtu edhe për investitorët e huaj.