Bëhet hapja e pikës së tretë të dyqanit bamirës ‘Teshavesha’ në Ferizaj
Ferizaj, 18 Shtator - Dyqani Teshavesha bëri hapjen e pikës së tretë falë mbështetjes financiare të partnerit Raiffeisen Bank Kosova. Duke filluar nga sot, dyqani bamirës hapi dyert në pikën e re në Ferizaj me lokacion në rrethin ku ndahet rruga Rexhep Bislimi dhe Ahmet Kaçiku, pranë stacionit te autobusëve.
Teshavesha është ndërmarrje sociale e themeluar nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në korrik të 2016-tës për të mbështetur programet shëndetësore për nëna dhe fëmijë. Në “Teshavesha” qytetarët mund të dhurojnë dhe blejne rroba për gra e vajza, burra e djem, lodra, dekorime të vogla shtëpiake, aksesorë, e tjera me çmime shumë të lira për të ndihmuar kështu programet e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë nga shitjet e dyqanit.
“Që nga themelimi, Teshavesha vizitohet nga më shumë se 400 qytetarë çdo muaj, ku vullneti i mirë i qytetarëve, donacionet dhe blerjet e shumta që nga themelimi i dyqanit bëri që ne të hapim piken e re të Teshaveshës në qytetin e Ferizajit, duke shpresuar se do zgjerohemi dhe në qytet tjera të Kosovës,” deklaron Janinë Mehmeti, Koordinatore për Ngritje Fondesh në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Teshavesha bën pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët, ndërsa të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni si: blerjen e medikamenteve, zhvillimin e projektit të transportit neonatal, blerjen e pajisjeve mjekësore, si dhe zgjerimin e shërbimeve të qendrave informuese për shëndetin e gruas.