Bëhet certifikimi i 150 pjesëmarrësve të programit “Coca-Cola Përkrah Rininë”
Prishtinë, 15 maj - Kompania Coca-Cola HBC Kosova organizoi Eventin e Rrjetëzimit dhe Certifikimit të të rinjve në kuadër të programit “Coca-Cola përkrah Rininë”. Ngjarja ka shërbyer si urë lidhëse në mes të 150 pjesëmarrësve të suksesshëm të trajnimit dhe punëdhënësve potencial. Me këtë organizim u shënua edhe mbyllja e fazës së parë të këtij projekti i cili filloi në prill 2018.
Qëllimi kryesor i programit “Coca-Cola përkrah Rininë” është ofrimi i mundësisë të rinjve për tranjim, këshillim dhe mbështetje duke i ndihmuar ata të jenë të përgatitur për punësim kuptimplotë. Kjo iniciativë ambicioze e cila drejtohet në nivel global nga Coca-Cola HBC, këtë vit do të ofrojë trajnime për 300 të rinj të papunë anembanë Kosovës.
Me këtë rast drejtori i Coca-Cola HBC Kosova, z. Neritan Tira theksoi se Coca-Cola HBC do të vazhdojë të përkrah rininë kosovare.
“Kjo ngjarje sot nuk është vetëm kurorëzimi i një faze të parë por edhe një mundësi, një urë për të krijuar lidhjen mes juve si punëdhënës dhe këtyre të rinjve plot me pasion dhe dëshirë për të filluar udhën e tyre drejt një të ardhme emocionuese”, u shpreh z.Tira.
Të pranishëm në këtë event ishin edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Greg Delawie, i cili përgëzoi kompaninë Coca-Cola për këtë program dhe inkurajoi edhe bizneset tjera të ndjekin këtë rrugë.
“Më vjen mirë që po shoh përpjekjet e Coca-Cola-s që të sjellë të mira për komunitetin, gjithashtu inkurajoj edhe bizneset tjera që të ndjekin rrugën e saj. Shpresoj që të shoh Coca-Cola-n duke shërbyer si frymëzim për ndërmarrjet shoqërore”, tha Delawie.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Heset Sahiti ka deklaruar se ky program është i veçantë, i cili, siç tha ai, ka pasur përkrahjen e MAShT-it që nga fillimi.
“Të gjithë e dimë se papunësia është e madhe. Të rinjtë kur të përfundojnë studimet nuk mund te gjejnë punë. Mundësia që u jepni këtyre kategorive është për t’u lavdëruar. Uroj që ky program të arrijë rezultatet që të rinjtë të kryejnë praktikë dhe një pjesë e tyre të gjejnë vende pune, që të sigurojnë mirëqenie për veten dhe familjen e tyre”, tha Sahiti.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka mirëpritur këtë program, derisa ka ofruar mbështetjen e komunës për kompanitë që ofrojnë përkrahje për rininë dhe mundësi punësimi për ta.
“Ju ofroj përkrahje kompanive që ofrojnë mundësi punësimi në komunën tonë. Çdo iniciativë që u ofron mbështetje rinisë, do të jemi afër jush”, tha ai.
Përfaqësuesit e bizneseve si dhe pjesëmarrësit e programit patën mundësi të njohftohen dh të bashkëbisedojnë për mundësitë e ndonjë bashkëpunimi në të ardhmen.
Projekti “Coca-Cola përkrah Rininë”, është realizuar me mbështetjen e institucioneve si Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Komunës së Prishtinës, Agjencionit të Punësimit, Odës Ekonomike Amerikane, ICK, Venture Up dhe Rrjetit CSR në Kosovë.