Bëhen bashkë në luftën kundër ekonomisë gri
Prishtinë, 19 qershor - Në Beqiç të Malit të Zi është mbajtur samiti rajonal me temën Stabiliteti Financiar Rajonal në Mjedisin e ri Global i Guvernatorëve, Ministrave të Financave dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore. Pjesëmarrës në këtë samit ishin përfaqësues nga shtetet rajonale si: Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia.
Në panelin e Drejtorëve të Administratave Tatimore, temë diskutimi ishte \"Reforma e Administratës Tatimore dhe lufta kundër ekonomisë gri.
Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i ATK-së ka prezantuar të arriturat e ATK-së në funksion të përmbushjes tatimore, zhvillimet ndërmjet dy samiteve në luftimin e dukurive të ekonomisë joformale si njëra nga rreziqet kyqe të konkurrencës së drejt në biznes.
\"Sistemi tatimor i Kosovës, vlerësohet relativisht i thjeshtë, me norma të ulëta tatimore, shtet me politika fiskale të orientuara drejt nxitjes së investimeve dhe prodhimit të brendshëm dhe gjithashtu krijimit të një ambienti atraktiv për investimet e huaja\", ka thënë Imeri.
Sipas Imerit, në funksion të stabilitetit financiar, në ATK ka pasur një ngritje të përmbushjes tatimore dhe një trend pozitiv në të hyra, si rezultat i një partneriteti me tatimpagues, krijimit të lehtësive për tatimpaguesit e rregullt dhe luftimit të atyre që bëjnë shmangie në pagesën e tatimeve.