BE, rriten borxhet publike në vitin 2012
Bruksel, 24 prill - Të dhënat e publikuara të martën nga "Eurostat"-i tregojnë se, megjithëse vjet vëllimi i deficitit financiar të vendeve anëtare të BE-së pati një ulje në krahasim me vitin 2011, borxhi publik i këtyre vendeve është rritur.
Statistikat tregojnë se, ndër 27 vendet anëtare të BE-së, vetëm Gjermania arriti të ketë një suficit të vogël buxhetor.
Ndërkohë, deficiti i 17 prej këtyre vendeve e ka kaluar kufirin e alarmit, që është 3 për qind e GDP-së. Ndër këto vende, Spanja dhe Greqia kanë deficitin më të madh, përkatësisht 10.6 për qind dhe 10 për qind.
Për sa i përket borxhit publik, të gjitha vendet anëtare, qoftë të Eurozonës, ashtu dhe të Bashkimit, kanë pasur rritje.
Edhe për sa i përket këtij borxhi vendin e parë e zë Greqia, me 156.9për qind të GDP-së, dhe pas saj vijnë Italia, Portugalia dhe Irlanda, me përkatësisht 127për qind, 123.6për qind dhe 117.6për qind.
Këto shifra tregojnë se ekonomia europiane ende nuk ka dalë nga recesioni. Megjithatë, zëdhënësi i BE-së Olivier Bailly u shpreh se të dhënat nuk janë të mjaftueshme për të paragjykuar ecurinë e vendeve të ndryshme në fushën ekonomike.
Edhe pse ai nuk dëshiroi të komentojë lidhur me situatën ekonomike, mund të shihet se disa vende, si Spanja dhe Franca, nuk i kanë arritur objektivat e tyre për pakësimin e deficitit.
Arsyeja e uljes së deficitit të tyre është pakësimi i shpenzimeve publike për shkak të zbatimit të politikave shtrënguese.
Por përqindja e papunësisë vijon të mbetet e lartë, çka i ka bërë politikanët të rishqyrtojnë edhe një herë anët pozitive dhe anët negative të këtyre masave. Nëse do të ketë ndryshime, kjo pritet të shihet në të ardhmen.