BE refuzon përsëri projektbuxhetin e Italisë
Bruksel, 22 nëntor - Komisioni Europian kundërshtoi përsëri projektbuxhetin italian për vitin 2019, duke hapur rrugën për një proces disiplinor ndaj ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës.
Nënkryetari i Komsionit Europian Valdis Dombrovskis shpjegoi të mërkurën se rishikimi i projektbuxhetit tregon se deficiti strukturor mund të rritet me rreth 1% të PBB-së në vitin e ardhshëm, ndërsa rekomandimi i Këshillit më parë ishte për ta zvogëluar numrin me 0.6%.
"Pra me keqardhje konfirmojmë dhe vlerësojmë se plani i hartimit të buxhetit italian bie në kundërshtim me rekomandimin e Këshillit të datës 13 korrik."
Komisioni tha se Italia duhet të bëjë më shumë për të ulur borxhin e saj të madh publik prej 130% e PBB-së, i dyti më i lartë në Eurozonë pas Greqisë.
Analisti financiar nga "Lonsin Capital", Marco M. Elser shprehu shqetësim lidhur me këtë çështje dhe shprehu besimin se Italia do të dënohet nga BE-ja, ndoshta me sanksione.
"Bashkimi Europian hodhi poshtë projektligjin e buxhetit të Italisë pasi ai ishte mbi standardin e kërkuar për të qenë një vend anëtar i BE-së, sepse Italia ka injoruar këshillat e BE-së dhe ka vijuar programin demagogjik dhe për këtë do të ketë pasoja."