BE përkrah zhvillimin e NVM në Kosovë me 3 milion euro
Prishtinë, 3 dhjetor - Ka filluar projekti Përkrahja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe synimet e tij i janë prezantuar palëve kyçe të përfshira në këtë sektor.
Synimi i projektit është përforcimi i kapaciteteve të përfituesit primar, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, roli i së cilës është dhënia e kontributeve në sektor me anë të politikave, strategjisë dhe legjislacionit në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Ndërmarrje.
I ngarkuari me punë në Zyrën ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Björnsson, tha: Lansimi i projektit të BE-së për NVM shënon fillimin e një faze të re të zhvillimit të NVM-ve në Kosovë që ka për synim përmirësimin e radhitjes së Kosovës në raportin Doing Business të Bankës Botërore".
Projekti synon të krijojë dialog me komunitetin e biznesit për të përmirësuar klimën e biznesit në Kosovë përmes Agjencisë për Përkrahjen e NVM-ve dhe Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë.
Rritja e sektorit të NVM-ve ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi që ky sektor ka rol kritik në krijimin e vendeve të punës.
Projekti i financuar nga BE-ja do të implementohet gjatë dy viteve të ardhshme dhe vlera e tij është 3 milion euro.