BE ofron mbështetje milionëshe në luftën kundër virusit Corona
Prishtinë, 25 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Olivér Várhelyi, anëtar i Komisionit Evropian, Komisionar i Bashkimit Evropian (BE) për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, në të cilën thuhet se BE qëndron pranë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e mënyrave për t'ju ndihmuar në adresimin e shpërhapjes së pandemisë, sikurse edhe me pasojat e saj.
Evropa po përballet me një krizë të paparë të shëndetit publik dhe masa të gjera po merren në të gjithë kontinentin. Në këto periudha të vështira, bashkëpunimi dhe solidariteti janë thelbësore.
BE sipas Várhelyi qëndron pranë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e mënyrave për t'ju ndihmuar në adresimin e shpërhapjes së pandemisë, sikurse edhe me pasojat e saj.
“Ne po shikojmë intensivisht se si ta lidhim Kosovën dhe partnerët e tjerë me nismat që BE po merr përsipër si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, si dhe se si të ofrohet më së miri mbështetje në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të saj."
"Sa i përket qytetarëve nga rajoni që janë të bllokuar në BE, Komisioni gjithashtu është në diskutim me Shtetet Anëtare për qytetarët e vendeve të treta që mund të gjenden në një situatë ku ju duhet të qëndrojnë për një afat të pacaktuar në zonën Shengen si rezultat i kufizimeve të udhëtimit”, thuhet në letrën e Várhelyi, dërguar kryeministrit Kurti .