BE ndihmon Kosovën me 1.5 milion euro në riatdhesim
Prishtinë, 26 shkurt - Përmes një projekti të binjakëzimit, i cili sjellë bashkë ekspertë austriakë, finlandezë dhe hungarezë me homologët e tyre kosovarë në qeverisje qendrore dhe lokale, BE-ja do të mbështesë riathesimin dhe riintegrimin e të riatdhesuarve në Kosovë.
Ky projekt dyvjeçar prej 1.5 milion eurosh, i financuar nga BE-ja, do të ndihmojë në krijimin e sistemit te administrimit dhe menaxhimit të migrimit dhe sigurimin e masave socio-ekonomike për individët dhe familjet e kthyera.
Çdo vit, rreth 2,000 persona riatdhesohen në Kosovë nga shtetet anëtare të BE-së si rezultat i marrëveshjeve bilaterale të ripranimit në mes të shteteve anëtare individuale dhe Kosovës.
Përderisa riintegrimi i tyre në shoqëri është kryesisht detyrë e institucioneve kosovare, BE-ja është duke mbështetur autoritetet në kryerjen e kësaj detyre.
Në raportin e tij të fundit për Kosovën, Komisioni Evropian ka raportuar për një progres të konsiderueshëm në ripranim, riintegrim dhe menaxhim të azilit. Megjithatë, ende mbeten sfida që duhen adresuar.
Ky projekt do të mbështesë Kosovën që të ballafaqohet me sfidat e identifikuara në raportin e KE, dhe do të mbështesë autoritetet në menaxhimin dhe implementimin e duhur të procesit të ripranimit dhe inintegrimit.
Ky projekt do ti kushtojë vëmendje të veçantë punës së bërë në komuna lidhur me riintegrimin. Riintegrimi ka të bëjë me jetën e përditshme të qytetarëve, ndërsa legjislacioni dhe administrimi duhet të sigurojnë që qytetarët të kenë qasje të barabartë në ato shërbime që u nevojiten atyre për tu adaptuar në shoqëri.
Ky projekt do të mbështesë komunat në projektimin dhe ofrimin e shërbimeve të riintegrimit në përputhje me legjislacionin, strategjinë kombëtare dhe barazinë përmes trajnimeve.
Një detyrë e rëndësishme e projektit është edhe përmirësimi si i vetëdijesimit të përgjithshëm publik, ashtu edhe atij të të kthyerve lidhur me kthimin, riatdhesimin dhe riintegrimin.
Ky projekt do të menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe do të implementohet nga Qeveria e Republikës së Austrisë (Ministria e Punëve të Brendshme) në bashkëpunim me autoritetet kosovare (Ministria e Punëve të Brendshme) dhe në partneritet me autoritetet finlandeze (Instituti Kombëtar për Shëndetësi dhe Mirëqenie, Ministria e Punës dhe Ekonomisë) dhe ato hungareze (Ministria e Punëve të Brendshme).