BE ndan fonde shtesë për bisedimet Kosovë - Serbi
Bruksel, 20 dhjetor - Komisioni Evropian (KE) ka aprovuar fonde shtesë për të mbështetur normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Pas njoftimit në fund të tetorit për të ndarë së paku 15 milion euro përmes Instrumentit për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA) për të adresuar nevojat e komunave me shumicë serbe në tërë Kosovën dhe në veçanti në komunat veriore, Komisioni Evropian ka miratuar një pako që tani totalisht përfshin shumën prej 38,5 milion euro.
Ky financim i veçantë do të fokusohet në infrastrukturën komunale, administratën publike, zhvillimin rural dhe rajonal, punësimin, arsimimin dhe mbrojtjen e ambientit. Përvec kësaj shume, Kosova ka në dispozicion edhe 70 milion euro ne dispozicion përmes programit IPA 2013 për Kosovën.
Komisioneri për Zgjerim dhe Politika Evropiane të Fqinjësisë, Shtefan Fule, tha: se në takimin e ministrave të jashtëm të mbajtur këtë javë, shtetet anëtare të BE-së i kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga udhëheqësia e Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e mardhënieve të tyre.
\"Ne angazhohemi t\'u ndihmojmë atyre që të ecin përpara në rrugëtimin e tyre drejtë BE-së. Shuma prej 38,5 milionëve e miratuar duhet të shërbej si mbështetje në fuqizimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve\", theksoi Fule.
Më 19 prill të këtij viti, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë mbi parimet e normalizimit të raporteve.
Marrëveshja është arritur në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE dhe ka mbuluar organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe integrimin progresiv të strukturave të drejtësisë dhe policisë së veriut të Kosovës në kornizën ligjore dhe administrative të Kosovës.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur me sukses në të dy raunde, në nëntor dhe në fillim të dhjetorit.