BE ndan 760 milion dollarë për krizën e imigrantëve
Bruksel, 3 mars - Bashkimi Europian ka propozuar një fond emergjence prej 760 milion dollarësh për të ndihmuar Greqinë dhe vendet e tjera anëtare që po përballen me krizën e emigrantëve.
Komisioneri evropian për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizës, Kristos Stylianides, tha sot se 325 milion dollarë do të jepen menjëherë ndërsa pjesa tjetër në dy vitet e ardhshme.
Zoti Stylianides tha se paketa e ndihmës u shtohet fondeve që janë tashmë duke u shpenzuar në pikat e nxehta si dhe programeve të tjera në ndihmë të vendeve që përballen me krizën dhe nevojat e emigrantëve.
Propozimi ka nevojë për miratimin e Parlamentit Europian dhe vendeve anëtare.
Bashkimi Evropian kërkon gjithashtu që numri i emigrantëve që hyjnë nga Turqia të bjerë nën 1,000 vetë në ditë.