BE ndan 2 milionë euro në grante për shoqërinë civile
Prishtinë, 11 shkurt - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shpallur trembëdhjetë grante të reja në mbështetje të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.
Projektet e dhëna kohët e fundit do të mbështesin përpjekjet e shoqërisë civile në promovimin e dialogut në mes të qeverisë dhe shoqërisë civile, fuqizimin e gruas, promovimin e përfshirjes sociale dhe të të drejtave të komuniteteve pakicë, promovimin e kulturës dhe të të drejtave të njeriut.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së tha: \"Të gjitha instrumentet tona për mbështetjen e shoqërisë civile kanë një objektiv kryesor të përbashkët: ne duam të mbështesim zhvillimin e një shoqërie civile që është pjesëmarrëse aktive në debate publike, e cila ka kapacitet për të ndikuar në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes, dhe e cila në këtë mënyrë promovon të drejtat e njeriut dhe reformën demokratike \".
Këto projekte implementohen nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Platforma CIVIKOS në partneritet me CNVOS; Reggio Terzo Mondo me Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës dhe CCAER; World Vision\" në partneritet me Fondacionin Terre des Hommes, Sport Sans Frontières,
Qendra për Orientim Shoqëror në partneritet me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë dhe Future without Fear; Save the Children International me Handikos dhe Save the Children Suedi; Aktiv në partneritet me Qendrën për Paqe dhe Tolerancë; OJAZAS në partneritet me Qendrën për Fuqizim Rinor; Qendra për Iniciativë të Punëdhënësve me Qendrën për Zhvillimin e Biznesit Kragujevc, Akcija Zajednicke Pomoci, dhe Të Drejtat e Gruas në partneritet me Rrethin e Motrave Serbe.
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) prezantoi Qendrën e resurseve të shoqërisë civile, të mbështetur nga BE-ja, dhe paraqiti mbështetjen e tij për shoqërinë civile në Kosovë në të ardhmen.
Këto grante financohen nga tre instrumente të ndryshme të shoqërisë civile:
Programi i shoqërisë civile (Civil Society Facility) mbështet zhvillimin e shoqërisë civile për të marrë pjesë në mënyrë aktive në debate publike për demokraci, të drejta të njeriut, përfshirje sociale dhe sundim të ligjit dhe ndërton kapacitetin e tyre për të ndikuar në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.
Instrumenti evropian për demokraci dhe të drejta të njeriut mbështet veprimet inovative përmes organizatave të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, për të rritur respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore dhe për të fuqizuar rolin e shoqërisë civile në promovimin e të drejtave të njeriut dhe reformës demokratike.
Skema e granteve të BE-së për veriun mbështet zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës veriore përmes përmirësimit të infrastrukturës komunale bazë, duke ndikuar në këtë mënyrë drejtpërdrejt në zbutjen e papunësisë, fuqizimin e sektorit të bujqësisë, mjedisit, biznesit dhe shoqërisë civile, me synim të përmirësimit të situatës ekonomike, kohezionit social, integrimit dhe bashkëpunimit.
Nga viti 2010, BE-ja ka ofruar mbështetje për organizata të shoqërisë civile me mbi 8 milionë Euro.