BE me fond të posaçëm për uljen e papunësisë te të rinjtë
Bruksel, 13 nëntor - Udhëheqësit e Bashkimit Europian (BE) hartuan një plan për të zgjidhur problemin e papunësisë te të rinjtë.
Lajmi u bë i ditur të martën nga presidenti francez Francois Holland në një konferencë shtypi pas samitit në Paris mbi këtë problem.
Ky është takimi i dytë i liderëve europianë brenda pesë muajve për uljen e numrit të të rinjve të papunë.
Sipas Holland, u vendos për një plan sipas të cilit në dy vitet e ardhshme nuk duhet të ketë të rinj të papunë dhe pa trajnim profesional për më shumë se katër muaj.
\"Që nga 1 janari i vitit tjetër, Bashkimi Europian do të ofrojë fond të posaçëm për zbatimin e planit për zgjidhjen e problemit të papunësisë te të rinjtë\", tha presidenti francez.
Ndërsa, kreu i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso deklaroi se punësimi i të rinjve mbështetet kryesisht te shtimi i fondeve dhe i burimeve në vendet anëtare.
Kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se pa rritje ekonomike, nuk do të ketë mundësi punësimi dhe se vetëm kompanitë mund të krijojnë vende pune.