BE mbështet Kosovën për tu integruar në ekonominë botërore
Prishtinë, 25 tetor - Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ishte nikoqire e takimit të parë të Projektit Asistenca Teknike për Zhvillimin e Mëtejshëm të Politikave Tregtare të Kosovës në mbështetje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ky Projekt i financuar nga BE-ja do të qoj përpara integrimin e Kosovës në ekonominë botërore dhe do të krijoj bazën për një mjedis të qëndrueshëm dhe të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat.
Ai gjatë dy viteve të ardhshme do ti ofrojë Kosovës asistencë teknike në ndërtimin e kapaciteteve për negocimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Bashkimin Evropian dhe për të përfituar më shumë nga anëtarësimi i saj në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
Duke siguruar një zhvillim gjithëpërfshirës të burimeve njerëzore në kuadër të MTI-së dhe mekanizmave të tjerë qeveritar dhe joqeveritar që kanë të bëjnë me tregtinë, Projekti pritet që do të ndihmojë Kosovën në arritjen e një progresi thelbësor drejt anëtarësimit në BE.
Aktivitetet e Projektit do të shtrihen në katër fusha me rëndësi strategjike për integrimin e Kosovës në ekonominë botërore, e në veçanti në sistemin tregtar botëror: krijimin e politikave tregtare; analizën tregtare; reformën e tarifave dhe strukturave të TVSH-së; dhe cilësinë e statistikave tregtare.
Projekti realizohet në kohën e duhur pasi që para pak kohe janë përcaktuar objektivat e politikave tregtare të Kosovës në dokumentin Politika Tregtare e Kosovës, dhe tani është urgjente të ndërmerren hapa konkret drejt zbatimit të saj me synimin për integrim në sistemin tregtar rajonal dhe multilateral.
Projekti do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm, pasi që ai do të krijojë bazat institucionale, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për krijimin e politikave tregtare në Kosovë.
Projekti i Asistencës Teknike për Zhvillimin e Mëtejshëm të Politikës Tregtare të Kosovës është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga GFA Consulting Group.