18 Maj 2024

BE kërkon t’ua pakësojë pushtetin agjencive të vlerësimit

Bruksel, 30 korrik - Zyrtarë të Bashkimit Europian dhe agjencitë më të mëdha në botë që merren me vlerësimin e aftësive paguese të institucioneve financiare dhe vetë shteteve janë duke shkuar drejt një përplasjeje të madhe mes tyre.

“Fitch”, “Standard and Poor’s” dhe “Moody’s” duket se kanë marrë shumë kritika nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian në lidhje me vlerësimet e fundit që kanë qenë në tërësi negative, jo vetëm për shumë banka europiane, por dhe për shumë shtete, përfshi së fundi edhe Gjermaninë, që konsiderohej shumë e stabilizuar.

Javës që shkoi, “Moody’s” dha një vlerësim negativ për Gjermaninë, që është edhe hapi i parë ndaj një vlerësimi të plotë negativ, që nënkupton mungesë të stabilitetit financiar të vendit. Zyrtarët gjermanë shumë të zemëruar nga një vlerësim i tillë e mohuan çdo mundësi për një situatë jo të mirë në vend.

Në Bruksel, ndjesitë kundër agjencive të vlerësimeve kanë shkaktuar madje edhe një rritje të pakënaqësisë ndaj vetë Amerikës, duke nënkuptuar, sipas disave, se Amerika po e bën këtë lojë, pas problemeve që pati me dollarin dhe pas fuqizimit të madh të euros kundrejt tij vitet e fundit.

“Moody’s” vuri në shënjestër javës që shkon edhe vetë Holandën dhe Luksemburgun, vende me qëndrueshmëri të madhe financiare dhe fuqi ekonomike të madhe.

Së fundi, agjencia bëri të ditur se largimi i Greqisë nga Eurozona është një perspektivë jo fort e pamundur dhe se përgjithësisht, ekonomitë europiane të gjitha janë në një gjendje aspak të mirë.

Gjatë këtij viti, nga tri agjencitë e sipërpërmendura amerikane të vlerësimit janë zhvleftësuar nëntë shtete europiane që konsideroheshin në situatë të mirë financiare dhe ekonomike, vetëm pak vite më parë.

Duket se BE ka ndërmend që të kërkojë ndreqjen e mënyrës me anë të së cilës këto agjenci bëjnë vlerësimet e tyre dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga ana e tyre, në rast të gabimeve në përcaktimin e gjendjes financiare.

Duket se për Brukselin, këto agjenci vlerësimesh kanë marrë së fundi shumë forcë dhe kanë shumë ndikim ndaj një gjëje të tillë që duhet të kufizohet. Ligjvënësit europianë kërkojnë që i gjithë procesi i vlerësimit të jetë më transparent, më i përgjegjshëm.

Sipas tyre, vlerësimi duhet që të bëhet duke pasur parasysh karakteristikat përkatëse të secilit vend dhe nuk duhet, në asnjë mënyrë, që të bëhen shkak për ndryshimin e politikave apo edhe promotore të këtyre ndryshimeve.

Kështu shtesat në ligjin e agjencive që u kërkohen nga europianët kanë të bëjnë me kërkesën që agjencitë çdo vit të publikojnë një axhendë datash, në të cilat do të publikohen vlerësimet e tyre ndaj institucioneve, apo edhe shteteve të ndryshme.

Mbi të gjitha duket se europianët duan që t’i kufizojnë pushtetin dhe ndikimin këtyre agjencive, të cilat luajnë një rol shumë të madh në mënyrën se si sillen tregjet financiare ndaj vlerësimeve të tyre, të cilat merren shumë seriozisht.

Veç kësaj agjencive, do t’u kërkohet që të gjejnë një mënyrë për të treguar se vlerësimet e tyre nuk janë të njëanshme dhe në një rast të kundërt, të mbajnë përgjegjësi civile, pra nëse vlerësimet e tyre kanë qenë të njëanshme dhe kanë dëmtuar biznese, apo edhe vende të caktuara.

Ligjvënësit kanë propozuar edhe rregulla të ashpra për të eliminuar konfliktet e interesit, mes pronarëve dhe klientëve të agjencive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)